Protesta e shtatë kombëtare e opozitës u mbyll me dhunë. Tubimi nisi tek kryeministria me disa incidente të vogla e më tej, lideri i opozitës Lulzim Basha, i kërkoi manifestuesve të zhvendoseshin te Parlamenti. Në të dyja institucionet e rëndësisë së veçantë protestuesit lëshuan kapsolla dhe lëndë piroteknike në drejtim të policisë.
Pas rreth 3 orësh tensione mes policisë dhe tubuesve mbetën të plagosur 10 efektivë dhe 3 protestues. Kishte edhe momente tensioni kur një prej protestuesve pësoi lëndime në këmbë me një mjet shpërthyes.
Frikë dhe tension në radhët e uniformave blu, kur në drejtim të tyre, në hyrje të Parlamentit tubuesit hodhën fishekzjarre. Në këto kushte, Policia e Shtetit u detyrua të hedhë gazin lotsjellës.
Situata u qetësua për pak çaste, por protestuesit u riorganizuan sërish për të tentuar të sulmojnë në mënyrë të organizuar efektivët që ndodheshin në rreshtin e parë të Parlamentit.
Nëpërmjet qendrës së zërit, Policia e Shtetit u kërkonte organizatorëve të protestës që të qetësonin situatën. Por prania e gazit lotsjellës e acaronte edhe më shumë situatën në radhët e protestuesve, të cilët vijonin qëndresën e tyre para Parlamentit.
Pas rreth 3 orës protestë, gjithçka u mbyll me fjalimin e Bashës në selinë e PD. Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vizitoi në spitalin e Traumës, efektivët e plagosur në protestën e së dielës. Sipas Lleshajt 10 policët e plagosur mbetën të lënduar nga mjetet piroteknike të hedhur nga protestuesit e opozitës./ABC News Albania 24/7