Kreu i qeverisë Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Rama u shpreh ndër të tjera se Stoltenberg është një mik i palëkundur i vendit tonë, ndërsa shtoi se ata kanë folur për bashkëpunimin dhe kontributet e vendit tonë brenda NATO-s.
“Diskutuam edhe për negociatat dhe për konfliktin politik. Vizita është afirmim i vëmendjes dhe kujdesit ndaj Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë Jens Stoltenberg theksoi se kriza politike duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe bëri thirrje që të mos minohen institucionet demokratike por palët të ulen në dialog dhe të mendojnë për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë.
“Në demokraci do ketë gjithmonë debate. Kjo nuk është dobësi por dhuna bie ndesh me vlerat tona. I bëj thirrje aktorëve politikë të sillen me vetëpërmbajtje për të vijuar në rrugën e integrimit që problemet të zgjidhen përmes dialogut për shkak se kjo kontribuon për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Stoltenberg./abcnews.al



