Rama letër të shtatë publike: Basha ka braktisur demokratët

schedule09:43 - 1 Qershor, 2019

schedule 09:43 - 1 Qershor, 2019

Kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe kryetar i Partisë Socialiste, vetëm pak orë para hapjes zyrtare të fushatës për forcën e tij politike, publikoi një letër të shtatë, të cilën kësaj here nuk ia drejtoi kreut të PD-së Basha, por të gjithë demokratëve. Sipas Ramës, ky bojkot i zgjedhjeve i opozitës ka ardhur sepse kanë frikë nga zgjedhjet dhe se Basha i trembet një disfate elektorale.

E kishte paralajmëruar.

Përpara se këtë të shtunë t’i drejtohej socialistëve të tij, Edi Rama e nisi diten me nje leter te hapur drejtuar te gjithe demokrateve.

 “Sot Partia Socialiste nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa partia të cilës ju i përkisni si anëtarë apo që e keni votuar, si mbështetës ose simpatizantë, nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Braktisja pa kthim e parlamentit, nxitja e dhunës, bojkotimi i zgjedhjeve, janë në thelb arratisje nga misioni, funksioni dhe korniza e vlerave të një partie demokratike. Jam sinqerisht i keqardhur për këtë”.

Më pas letra vijon me një skaner që ai i bën situatës së demokratëve si socialist dhe kryeministër.

“Askush ndër ju mbase, unë jo e jo, s’e kishte menduar se do të vinte dita kur partia juaj, e lindur si parti parlamentare nga zgjedhjet e para pluraliste, as të mos ishte më parlamentare dhe as të mos futej në zgjedhje. Çudi dhe degradim i madh njëkohësisht! Por sot, me një vendim sovran të udhëheqjes së asaj partie jemi përpara këtij fakti të kryer dhe s’kemi, mesa duket, asnjë mundësi ta zhbëjmë një zhvillim kaq negativ”, vijon kryeministri.

Kërkesës për shtyerjen e zgjedjeve Rama i përgjigjet me një kundër pyetje.

“Kam dëgjuar shpesh pyetjen: A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën? Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike. Prandaj, shkruan Rama,  unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita?”.

Letrën e tij drejtuar demokratëve Rama e mbyll me  dy fjalë për moslejimin apo prishjen e procesit te zgjedhjeve. Ai I kujton të gjithëve se eshtë krim dhe ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, kushdo që e kryen një krim të tillë. Ai I kujton demokrateve se cilido qe prish procesin do të dënohet për krime zgjedhore nuk do ta kete më të mundur të shkele për gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara të amerikes dhe në Bashkimin Europian. /ABC News Albania 24/7

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!