Në Maqedoninë e Veriut paralajmërohet publikimi i përgjimeve të reja nga një profil në Facebook me emrin “El Cheka”. Nga ky profil pretendohet se ka rreth 650 materiale tronditëse ku janë të përfshirë anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Ali Ahmetit.
Një profil në rrjetin social Fejsbuk me emrin “El Cheka”, ka disa ditë që po shpërndan disa materiale të përgjuara apo të ashtuquajtura “bomba”, të cilat datojnë nga periudha 2008-2015-të, periudhë në të cilën Policia Sekrete përgjoi ilegalisht mijëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut dhe më pas një pjesë të atyre bisedave i publikoi ish lideri i opozitës Zoran Zaev. Në këto biseda të përgjuara dëgjohen funksionarët e BDI-së duke folur mes vete, por ka biseda edhe mes tyre dhe funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, me të cilët asokohe ishin në pushtet. Zyrtarët e lartë të Bashkimi Demokratik për Integrim kanë kërkuar nga organet kompetente përgjegjësi.
Në rrjetin social fejsbuk po vazhdon beteja e publikimit të “bombave”, gjegjësisht përdoruesi i profilit “El Cheka”, tashmë disa ditë po publikon radhazi materiale të përgjuara të plaigjshme , ku bashkëbisedues pretendohet të jenë kryesisht funksionarë të BDI-së. përdoruesi i profilit “El Cheka” i pretendohet të jetë publikues i bombave ka publikuar dhjetëra bomba, derisa paralajmëron të publikojë një numër të konsiderueshëm të materialeve të përgjuara. Kryetari Kuvendit, Talat Xhaferi njoftoi se nuk dëshiron t’u përgjigjet pyetjeve hipotetike.
Nga ana tjetër, Kryeministri Zoran Zaev, thotë se nuk i ka dëgjuar përgjimet, ndaj nuk e din se a janë ato materiale të njëjtat që ai i ka poseduar.
“Unë për herë të parë po dëgjoj se ka “bomba” të reja, me shumë gjasa për shkak se jam shumë i zënë dhe nuk e di se kur janë publikuar. Duhet ti dëgjoj dhe ta shoh se a janë ato pjesë nga materialet veçmë të publikuara, ose janë materiale të reja. Vetëm të rikujtoj, sipas vlerësimit tim, duke i parë datat e krijimit të materialeve vetëm 1/3 e materialeve kanë qenë në duar tona, me shumë gjasa se e gjithë ajo që është përgjuar ka ra edhe në duar të tjerëve, por e mira është se tanimë ekziston ligj për këtë punë”.
Nga MPB-ja njoftuan se e kanë zbuluar se kush qëndron pas profilit El Cheka dhe se është kërkuar nga Facebooku që ky profil të bllokohet.
“Është vërtetuar se kush qëndron pas këtij profili nga ku plasohen këto përmbajtje dhe për këtë është njoftuar Prokuroria. Gjithashtu, është njoftuar edhe rrjeti social Facebook respektivisht kompetentët në këtë kompani se përmes servisit të tyre plasohen përmbajtje të jashtëligjshme. Pas zbardhjes së plotë të rastit, MPB-ja do të dorëzojë kallëzim penal kundër kryerësit”– thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
Publikuesi i cili pretendohet të gjendet në Çikago të Shba-ve, nuk e ka fshehur identitetin e tij dhe i njëjti posedon edhe fotografi personale të tijat. Ndryshe me Marrëveshjen e Përzhinës në vitin 2015-të, u formua Prokuroria Speciale, e cila mori për detyrë t’i hetojë rastet të cilat dolën nga përgjimet e paligjshme nga viti 2008-të deri në vitin 2015-të, të cilat biseda i publikonte asokohe Zaev. Pas formimit të PSP-së, këto materiale u ndalua që të publikoheshin. /ABC News Albania 24/7