Kosova shpall “non grata” shtetasin rus të arrestuar në veri

schedule14:20 - 31 Maj, 2019

schedule 14:20 - 31 Maj, 2019

Shtetasi rus i arrestuar në veri të Kosovës, në operacionin e kësaj jave, është shpallur “non grata”. Presidenti serb Vuçiç e ka vizituar atë në spital, ku po trajtohet pas lëndimeve gjatë operacionit.

Mikhail Krasnoshchenkov, shtetasi rus i arrestuar disa ditë më parë në veri të Kosovës, është shpallur “Person Non Grata”. Kërkesa është bërë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. E vendimi u mor gjatë ditës.

Shtetasi rus tashmë është i detyruar të largohet nga vendi Brenda ditës.

Lajmi është konfirmuar nga kryeministri i Kosovës Haradinaj me anë të një statusi në profilin e tij në Facebook.

Haradinaj ndër të tjera shkruan se kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov të shpallej si person ‘Non Grata’.

Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019.

I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin.

Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit, përfundon Haradinaj

Ndërkohë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, së bashku me disa ministra serbë, vizituan në spital rusin Mikhail Krasnoshchenkov. Vuçiç deklaroi se është përdorur forcë e tepruar ndaj zyrtarit të UNMIK-ut. “Është shumë e rëndësishme që ju të ndiheni në Serbi si në shtëpinë tuaj”, i tha presidenti serb, rusit Krasnoshchenkov. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!