Bllokohet peshkarexha me 25 mijë litra naftë kontrabandë në Durrës, arrestohen 2 vëllezërit

schedule09:51 - 7 Shtator, 2022

schedule 09:51 - 7 Shtator, 2022

Plot 25.000 litra naftë e dyshuar kontrabandë janë sekuestruar në Portin e Durrësit.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar nga struktura doganore  Antikontrabanda Detare në bashkëpunim me policinë kufitare në Durrës.

Peshkarexha “LEON” është bllokuar mbrëmjen e djeshme në Port.

Gjatë kontrollit në depot e brendshme të karburantit të saj u gjet dhe u sekuestrua sasia prej rreth 25.000 litrash naftë kontrabandë.

Policia ka arrestuar në flagrancë Shpëtim Canin, 43 vjeç, banues në Durrës, me detyrë kapiten, si dhe Roland Canin, 41 vjeç, me detyrë marinar i anijes peshkatore “LEON”.

Dy të arrestuarit, banues në Kavajë, janë vëllezër.

Mësohet se peshkarexha vinte nga vendet e Lindjes, ndërsa dyshohet se nafta ishte  planifikuar për t’u hedhur në tregun e brendshëm.

Kujtojmë se më 23 korrik, policia sekuestroi 80 mijë litra karburant të futur kontrabandë përmes një peshkarexhe në port. Anti-kontrabanda detare po vijon kontrollet intensive, duke u fokusuar tek mjetet lundruese.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet plani operacional policor i koduar “Diesel 2”.

Gjenden dhe sekuestrohen rreth 25 000 litra naftë, si dhe mallra të tjerë, të dyshuar të kontrabanduar.

Si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e PKK Port Durrës në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, ekipin monitorues të Guardia di Finanza dhe me specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit dhe Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar planin intensiv operacional të koduar “Diesel 2”, në kuadër të të cilit janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm dhe janë vënë në pranga shtetasit Sh. C., 43 vjeç dhe R. C., 41 vjeç, banues në Kavajë (vëllezër).

Shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!