Itali, Salvini përjashton zgjedhjet e parakohshme

schedule23:45 - 30 Maj, 2019

schedule 23:45 - 30 Maj, 2019

Pavarësisht fitores së padiskutueshme në zgjedhjet euro-parlamentare, kryetari i Ligës së Veriut në Itali, Mateo Salvini ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që mund të sillnin një koalicion të ri qeverisës pa partnerin e deritanishëm Lëvizja 5 Yjet.

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas zërave se një lëvizje e tillë do të fuqizonte pushtetin e partisë së tij, pas suksesit në zgjedhjet euro-parlamentare.

Në këto të fundit, partia e Salvinit, Liga e Veriut la pas partnerin e koalicionit qeverisës Lëvizja 5 Yjet, duke bërë që të rriten spekulimet për një braktisje të tij dhe krijimit të një blloku të ri politik me parti më të vogla, përmes zgjedhjeve të reja. Por duke folur për gazetarët nga selia e Parlamentit, Salvini i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Po të doja ta rrëzoja qeverinë nuk do të kaloja asnjë ditë të vetme duke mbledhur propozimet politike. Ka shumë gjëra për të bërë dhe zgjedhjet e parakohshme nuk na duhen”, ka deklaruar Salvini, duke renditur mes prioriteteve të tij hartimin e buxhetit.

Sidoqoftë, që nga mbajtja e zgjedhjeve europiane, kreu i Ligës së Veriut është sjellë me atributet e kryeministrit, duke premtuar ulje të taksave dhe bërë thirrje për ndryshimin e rregullave fiskale të BE-së; ndërkohë që Lëvizja 5 Yjet po përpiqet të mjekojë plagët dhe të zgjidhë një krizë të brendshme lidershipi.

Rrjedhimisht, strategjia e Salvinit duket si një përpjekje për të diktuar axhendën politike, edhe pse ai thotë se qeveria duhet të vazhdojë punën ashtu siç është./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!