Zbardhet projekti i autostradës Milot-Balldren

schedule20:53 - 30 Maj, 2019

schedule 20:53 - 30 Maj, 2019

Zbardhet projekti i ndërtimit të rrugës Milot – Balldren që ka një gjatësi prej 17 kilometrash dhe që do kushtojë 159.5 milionë euro. Ajo do të jetë një autostradë e standardeve të kategorisë A ku janë të parashikuara 6 vepra arti dhe 2 tunele.

Autostrada e re Milot-Balldren e cila është nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe pritet të ratifikohet edhe në parlament, do të ketë një kosto ndërtimi prej 159,5 milionë euro.

Kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standartit evropian. Ajo fillon tek kryqëzimi i rrugës së Kombit në Milot dhe përfundon në afërsi të fshatit Balldren, në dalje të qytetit të Lezhës, në rrugën që të çon në Shkodër.

Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët jo vetëm për hyrje daljet e automjeteve dhe këmbësoreve por e mbyllur në të gjithë gjatësinë me rrjetë teli për të penguar edhe hyrjen e kafshëve.

Gjerësia e saj do të jetë nga 3 korsi në të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km në orë.

Ky segment prej 17 kilometrash do të ketë shume vepra arti si,  urën mbi lumin Mat  me një gjatësi 625 m, urën mbi lumin Drin me gjatësi prej 225 m. Veç dy urave të mëdha, kjo autostradë do të ketë edhe një tunel me dy porta me gjatësi nga 850 metër secili krah, në malin e Rencit që do të shërbejë si bay pass i qytetit të Lezhës për ta devijuar futjen e trafikun të veriut nga kalimi përmes këtij qyteti.

Veç këtyre veprave të artit do të ketë edhe 6 mbikalime, në kryqëzimin e fushë Milotit, në kryqëzimin e burgut të Shenkollit, në kryqëzimin e rrugës Zejmen – Tale, në kryqëzimin e Rriles, në kryqëzimin me rrugën e Hotelit të gjuetisë dhe një nyje e madhe mbikalimi  në rrethrrotullimin e Lezhës, pranë ish fabrikës së Letrës.

Gjithashtu në këtë projekt, meqenëse autostrada do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga hyrjet anësore, parashikohet edhe ndërtimi i rrugëve paralele të dy krahët në zonat e banuara, rrugë këto secila me nga 2 korsi me një gjerësi prej 9 metra asfalt.

Gjerësia e korsive të autostradës do të jetë nga 3,75 m secila duke bërë të mundur ecjen me 120 km në orë dhe përshkimin e kësaj gjatësie Milot-Balldre vetëm për 8.5 minuta nga 28 minuta që bëhet aktualisht.

Ky projekt parashikon edhe gjelbërimin e autostradës si dhe ndriçimin në të gjitha nyjet.

Kosto e ndërtimit të kësaj autostrade, duke zbritur kostot e ndërtimit të veprave të artit, tunelit dhe rrugët dytësore, do të jetë 6 milionë euro për kilometër dhe do të ndërtohet për 3 vjet./ABC News Albania 24/7