Vetëm pas datës 10 Qershor, parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të vendosë për mandatin e ish-kryeministrit të vendit Nikolla Gruevski. Ndërkohë komisioni për çështjet e mandateve vendosi që ai të mos figurojë më si deputet dhe as të mos paguhet më si i tillë.
Në seancën e parë të ardhshme të Kuvendit, pas 7 Qershorit, do të mund të diskutohet për marrjen e mandatit të ish-kryeministrit në arrati Nikolla Gruevski, pasi dje Komisioni për çështjet e mandateve dhe imuniteteve votoi që ai të mos figurojë më si i zgjedhur i popullit për çka edhe merr rrogë. Kryetari i Kuvendit deklaron se kjo pikë e rendit të ditës nuk përjashtohet të jetë edhe në seancë parlamentare kur do të diskutohet edhe për rikonstruktimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Është e qartë se për dhjetë ditë do të thirret seancë parlamentare në të cilën në rend dite do të jetë diskutimi për marrjen e mandatit të deputetit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili me statusin e azilantit jeton në Hungari. Por është e paqartë nëse do të arrihen dy të tretat e votave nga 120 deputetë, për miratimin e vendimit të djeshëm të Komisionit për çështje të mandateve dhe imuniteteve, ku anëtarët e partisë së tij , VMRO-DPMNE-së opozitare nuk votuan.
“Do të thotë seanca e parë e ardhshme, pa marrë parasysh nëse do të jetë në rend dite edhe propozimi i qeverisë, nuk përjashtohet në të njëjtën seancë të shihet si pikë e veçantë edhe diskutimi rreth mandatit të Gruevskit”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Xhaferi, i cili theksoi se edhe vetë ai do të votojë për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit, megjithatë nuk do të interesohet për gjendjen e tij ose ekstradimin eventual, siç kërkon Maqedonia, gjatë kohës së qëndrimit të tij të afërt në Hungari, me delegacion qeveritar. Ai refuzoi ta komentojë qëndrimin e bashkëpartiakëve të Gruevskit të cilët deklarojnë se azili i marrë në Budapest nuk mund të llogaritet si mungesë e paarsyeshme, duke aluduar në pohimin e ish-kryeministrit se nga vendi është larguar për shkak të ndjekjes politike.
“Në pajtueshmëri me këtë vlerë themelore nuk mund të ketë kushdo qoftë mungesë të paarsyeshme, nëse për shkak të asaj mungese e ka shfrytëzuar të drejtën e vet themelore të kërkojë azil, në përputhje me Ligjin 14 nga Deklarata Universale e të drejtave të njeriut”, tha Ivanka Vasilevska nga VMRO-DPMNE.
Gruevski u arratis vetëm disa ditë para se të vuajë dënimin prej dy vitesh burg, për vetëm një nga veprat me të cilat ngarkohet në proceset gjyqësore. Sot Prokuroria Speciale Publike kërkoi paraburgim të ri për Gruevskin në lidhje me lëndën “TNT”, për prishjen e objektit Kosmos, pronë e Fiat Canoskit. Në qoftë se do të dënohet edhe për vepër tjetër penale, me mbi pesë vite burg, ish-kryeministri automatikisht do ta humbë mandatin e deputetit, me këtë edhe rrogën që në llogarinë e tij ende e paguajnë obliguesit tatimorë nga Maqedonia./ABC News Albania 24/7