Nga Agim Blloshmi
Estref Çota kur ishte i ri ka punuar nëntokë si minator. Kur doli në pension vendosi të shijonte atë që e kishte humbur në rini, mbitokën. Nisi të eksploronte zonat malore të Librazhdit. 81-vjecari nga fshati Frar i Njësisë Administrative Hotolisht prej disa vitesh është një udhërrëfyes i mirë për turistët që vizitojnë Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe në zonat e tjera.
“Më gjallëron shpirtin. Kur unë futem në gjelbërim dhe shoh panoramën e bukur aty dua të rri të mos largohem dhe gjumin atje ta bëj. Guidat përgjithësisht kanë qenë ditore, por ka pasur e raste që kanë qenë dy apo tre ditë pa shkëputje. Kemi ndjerë lodhje, po kemi përfituar më shumë se lodhja.”
Për një ditë ai u bë dhe guida jonë. Na shoqëroi në shtigje të vështira për të parë bukuritë e natyrës të Hotolishtit që është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Një pjesë të rrugës e përshkruam me një fuoristradë e më pas ecëm për në Kumanin e Vogël, ku përballë duken malet e Shebenikut dhe pllajat që kufizohen me malin e Qarishtës.
“Sa futemi në trekëndëshin e kësaj gryke na nxjerr në Qafën e Valit, pastaj kemi majën e Shebenikut, majën e Furrsi dhe Qafën e Ibrahimas.”
Vazhduam udhëtimin në Kumanin e Madh, ku dhe bëmë një ndalesë tek një godinë të braktisur në të cilën turistët kishin lënë reçel dhe kafe.
Estrefi tregon për vështirësitë e udhëtimeve, pasi zona ka probleme infrastrukturore. Për këtë arsye vizitorët janë të pakët.
“Sopoti është guidë e bukur, pastaj Kusari, Shebeniku që është kryesori. Po ka një gjë që nuk ka rrugë dhe duhen bërë me kafshë udhëtimet ose më këmbë. Duhen bërë më parë rrugët se zvogëlohet lodhja dhe shtohet kënaqësia.”
Kjo zonë është e pasur me bimësi. Një pjesë e tyre përdoren për ushqim apo si barna popullore. 81-vjeçari i njeh të gjitha.
“Ky quhet gjemb gomari, përdoret për ushqim dhe është e shijshme. Qumështi i këtij është i shijshëm shumë I ëmbël. Është bimë mjekësore kuruese sidomos për moshën time. Ky është murrizi. Sëmundjet që kuron ky veshkat, prostatën, mëlçinë. S’kanë arritur pjekurinë. Kur të zverdhet mund ta mbledhësh.”
Të gjitha shtigjet ai ja ka mësuar dhe Harif Alliut i cili njëlloj si 81-vjecari kohët e fundit shoqëron turistët që duan të njihen me vlerat kulturore dhe bukuritë e natyrës së Parkut Kombëtar.
Kam bërë disa shtigje me shirita të kuq që të ndihmojnë. Shijuam shumë këtë udhëtim, të cilin 81-vjeçari e mbylli me një mesazh.
“Natyra qoftë gjithnjë me ne!”
/abcnews.al