‘Përdhunimi ka rëndësi, trupi im ka rëndësi’: Viktimat e përdhunimit i dërguan një mesazh OKB-së ditën e djeshme, ku Asambleja e Përgjithshme miratoi një rezolutë historike për aksesin në drejtësi për ata që janë abuzuar seksualisht.
Në rezolutën e miratuar me konsensus, Asambleja e Përgjithshme “i kërkon shteteve të marrin masa efektive, brenda kornizës së legjislacionit kombëtar dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për t’u lejuar viktimave të dhunës seksuale akses në drejtësi, mjete juridike dhe ndihma”.
Rezoluta, e cila u prit me brohoritje dhe duartrokitje, thekson veçanërisht rëndësinë për qasjen e papenguar në drejtësi, nevojën për “forcimin” e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.
Amanda Nguyen, themeluese e organizatës joqeveritare Rise, e cila lufton që zërat e “1.3 miliardë viktimave të sulmeve seksuale në mbarë botën” të dëgjohen, e quajti një vendim historik.
“Doja të bëhesha astronaut, nuk doja të bëhesha aktiviste. Por ja ku jam, ashtu si rrobat që kisha veshur kur u përdhunova, të cilat janë të ekspozuara këtu”, shtoi Amanda, 30 vjeç, duke iu referuar një ekspozite të titulluar “Çfarë kishe veshur?” në selinë e OKB-së, e cila synonte të denonconte stigmatizimin e viktimave të sulmeve seksuale nga një pjesë e opinionit publik.
/abcnews.al