Në daljen e tij të parë publike, hetuesi i posaçëm i ndërhyrjes ruse, Robert Mueller ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij nuk mund të inkriminonin presidentin Donald Trump. Megjithatë, Mueller ka theksuar edhe se, nëse do të kishte patur prova se presidenti nuk kishte kryer krim do ta kishin thënë atë.
Në komentin e tij të parë mbi ndërhyrjen ruse, prokurori i posaçëm Robert Mueller ka sqaruar përse nuk mundi të akuzonte presidentin Donald Trump. Në një konferencë shtypi të mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Mueller ka përsëritur konstatimet e bëra në raportin e tij, duke deklaruar se nëse stafi i tij do të kishte patur bindjen se presidenti nuk kishte kryer krim do ta kishte deklaruar atë.
“Sidoqoftë, ne nuk dolëm me një përcaktim nëse kreu i shtetit e kishte kryer krimin”, ka deklaruar Mueller. Më tej hetuesi i posaçëm, duke cituar politikat e Departamentit të Drejtësisë, ka nënvizuar se një president nuk mund të akuzohet për një krim federal gjatë kohës që është në pushtet. “Kjo do të ishte jokushtetuese”, ka saktësuar Mueller.
Megjithatë, Mueller ka nënvizuar se oficerë të shërbimeve inteligjente dhe ushtrisë ruse ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj sistemit politik amerikan, në përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhje dhe për të dëmtuar një prej kandidatëve presidencialë. Prokurori i posaçëm e hapi fjalimin e tij duke njoftuar se do të mbyllë zyrën e tij dhe do të japë dorëheqjen nga posti në Departamentin e Drejtësisë.
Duke vënë në dukje faktin që nuk ka folur publikisht gjatë hetimit, Mueller tha se vendosi të fliste të mërkurën sepse tani hetimi i tij është tërësisht i përfunduar. Ai shtoi se raporti i tij i shkruar “flet vetë”. Ndaj deklaratës ka reaguar presidenti Donald Trump, i cili në një postim në Twitter është shprehur: “Çështja u mbyll! Faleminderit!”./ABC News Albania 24/7