Ndahet nga jeta në moshën 68 vjeçare mjeku shqiptaro – amerikan, i njohur ndërkombëtarisht, Filip Çaushaj. Kryemjekja e “Spitalit Amerikan” Lida Shosha ndau lajmin e hidhur në rrjetin social Facebook ku tregon dhe bisedën e fundit me të.
“Të dua, motra ime. I thuaj miqve në Shqipëri, që i dua. Po vdes me buzëqeshje. E ndërsa lotët e mi ridhnin çurg, sepse sdoja të pranoja largimin e mikut tim të shtrenjtë, Ai, përtej oqeanit, më thoshte “Mos qaj,motra ime, shpyrti ime. Kam çunin këtu me mua, nuk jam vetëm”, shkruan ajo.
Ai Filip Çaushaj lindi në New York, u formua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u dekorua nga Presidenti Obama, por për asnjë çast nuk e harroi origjinën e tij shqiptare.
Për promovimin e vlerave të shqiptarëve të suksesshëm nëpër botë, shtatorin e vitit 2016, Presidenti i Republikës Bujar Nishani e vlerësoi me titullin “Nderi i Kombit”.
Mikja e tij Lida Shosha shkruan;
“E deshi shumë vendin e origjinës, Shqipërinë, i deshi shumë shqiptarët, ndihmoi pamasë e frymoi deri në fund për Shqipërinë. CV e mjekut legjendë është aq e pasur sa nuk e nxënë dot këto reshta, mjeku i nderuar kudo në bote, por më i pasur ishte shpirti i tij fisnik, i mençur, modest, bujar, dashamires, përtej çdo limiti njerëzor që kam njohur deri më sot. Sot humba një mik të shtrenjtë, parajsa fitoi një legjendë.”
Me një karrierë të spikatur doktor Filip Çaushaj është pioner në kirurgjinë laparaskopike të zorrës së trashë dhe ështe vlerësuar me tituj në shumë spitale dhe universitete nëpër botë. /abcnews.al