Një i paraburgosur ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në burgun në Shkodër, pasi pësoi një përkeqësim të papritur të gjendjes shëndetësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, bëhet fjalë për Çezarin Jaku, i lindur më 10 nëntor 1964, i cili ishte i akomoduar në të njëjtën dhomë me të birin, të burgosurin me inicialet D. J.
Menjëherë pas shfaqjes së emergjencës, personeli shëndetësor i institucionit i dha ndihmën e parë dhe, për shkak të rëndimit të gjendjes, u vendos transportimi i tij me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut.
Gjatë transportit dhe pas mbërritjes në urgjencën spitalore, stafi mjekësor kreu procedurat e reanimimit kardiorespirator, por pavarësisht përpjekjeve, mjekët konstatuan vdekjen e të paraburgosurit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të reagimit, institucioni shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe garanton bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.



