Titulli kampion ishte vetëm objektivi i parë i Partizanit. Presidenti Gazmend Demi dhe drejtuesit e tjerë synojnë që klubi të kthehet në biznes, dhe të mos dalë më me humbje.
Nuk duhet të jetë një mbërritje, por një fillim.
Partizani kampion ishte një mision i madh i realizuar, por vetëm objektivi minimal për një klub me ambicie, dhe i drejtuesve të tij, si presidenti Gazmend Demi dhe drejtori sportiv Olsi Rama, pa harruar trajnerin Skënder Gega.
Për triumfin e pritshëm në Europë, ashtu si Skënderbeu këta vite, dhe për vazhdimësinë, duhet një model biznesi.
Është thënë shpesh se Demi nuk e kishte me qejf të vazhdonte tek Partizani, po tani?
Ish-drejtori sportiv i klubit, Dritan Dervishi, nuk i ndahet kryeqytetasve, edhe për punët e tij si gjahtar lojtarësh.
Një vlerësim vjen edhe nga një ish-rival, si lojtari e trajneri i dikurshëm i Tiranës, Shkëlqim Muça, sot shef i klubit shumësportësh Partizani.
Festa në shesh ishte përfundimi legjitim i një sezoni të madh, sipas standardeve të Superligës në Shqipëri.
Futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit ishin yjet protagonistë, por lumturia ishte sidomos e tifozëve që pritën 26 vjet për të mbërritur momenti i titullit.
Tepër shumë, sidomos për Partizanin, ndaj të kuqtë siç thotë shprehja, “e dogjën” festën dhe shpresojnë që sukseset thjesht vetëm të kenë filluar./ABC News Albania 24/7