Me rastin e 11-vjetorit të parkut kombëtar të Shebenik-Jabllanicë, ministria e Mjedisit dhe Turizmit në bashkëpunim me Bashkinë e Librazhdit organizuan 1 nga 300 festat lokale të vendit. Ministri Blendi Klosi theksoi se ky park atraktiv është vizituar vitin e shkuar nga 28 mijë vizitorë dhe në objektiv mbetet dyfishimi i kësaj shifre.
1 nga 300 festat lokale, që ministria e Mjedisit dhe Turizmit po organizon në të gjithë Shqipërinë u mbajt në parkun kombëtar të “Shebenikë-Jabllanicë”.
Të pranishëm në festën lokale që përkon me 11-vjetorin e këtij parku në Elbasan, ishin ministri Klosi, deputeti Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, të cilët vizituan edhe qendrën e vizitorëve.
Në fjalën e tij ministri Klosi u shpreh se ka ardhur momenti që natyra të shfrytëzohet edhe për turizëm edhe për të kontribuar në biznes
“Siç ka djem e vajza tashmë që bëjnë guidë në malet dhe liqenet akullnajore që ka ky park, të cilët tregojnë specifikat e florës dhe faunës, janë njerëz që kanë kuptuar se me natyrën mund të jetohet shumë mirë, mund të bëhet një biznes shumë i mirë, mund të bëhet një aktivitet i shkëlqyer dhe me natyrën mund të prodhohet shumë më tepër turizëm. Në kuadër të politikave të MTM viti 2019 do të shënojë një projekt goxha ambicioz përsa i përket zonave të mbrojtura, ne do të ridimensionojmë kufijtë e zonave të mbrojtura për t’iu dhënë atyre vlerë”.
Edhe deputeti Taulant Balla vlerësoi vlerat e jashtëzakonshme të parkut kombëtar të Shebenik-Jabllanicë.
“Do ta quaja këtë 11-vjetor, fillimin e një historie të re për parkun Shebenikë-Jabllanicë, që është jo vetëm një nga zonat më të mirë konservuara në Shqipëri, por ka edhe një biodiversitet dhe faunë shumë të pasur, duke e bërë këtë zonë shumë të kërkuar për turizmin malor. Pjesë e këtij parku është edhe zona e Rrajcës, ku janë 2200 ha që janë pjesë e trashëgimisë botërore të ruajtuara nga UNESCO sepse janë pyje 2200 vjeçare, të paprekura”.
Sipas shifrave zyrtare të ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ky park është nga më të vizituarit në Shqipëri, me 28 mijë vizitorë vitin e kaluar dhe objektivi është që numri të shumëfishohet nga ky vit dhe në vitet në vijim. /ABC news Albania 24/7