U sulmuan nga rusët në Uzinën e Gramshit, si është gjendja e dy rojeve ushtarake sot

schedule12:09 - 21 Gusht, 2022

schedule 12:09 - 21 Gusht, 2022

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka vizituar më herët gjatë së dielës dy ushtarakët që u sulmuan me spray nga një shtetas rus që tentoi të futej në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Gramsh. Siç duket edhe nga fotot e publikuara në Facebook-un e ministrit, dy ushtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka pritet që sot ta lënë spitalin.

NIKO PELESHI NË FACEBOOK

“Dy ushtarakët e lënduar një ditë më parë në incidentin e ndodhur në Uzinën ushtarake të Gramshit janë në gjendje të mirë dhe pritet që sot të lënë spitalin. I vizitova ata dhe u shpreha falenderimin tim dhe të qeverisë për reagimin e shpejtë dhe zbatimin pikë për pikë të ligjit ushtarak. Të gjitha institucionet që nga Agjencia së Sigurisë dhe Inteligjecës së Mbrojtjes, Policia Ushtarake, Antiterrori, SHISH, Policia e Shtetit, prokuroria po punojnë dhe shumë shpejt do të kemi rezultatet e një hetimi më të plotë.”

Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?

2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.

Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.

Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura./abcnews.al/