Basha: Rama ik, hapi rrugë zgjidhjes politike

schedule21:41 - 25 Maj, 2019

schedule 21:41 - 25 Maj, 2019

Gjatë fjalimit përmbyllës të protestës së të shtunës, kreu i demokratëve Lulzim Basha deklaroi se largimi i Ramës i hap rrugën zgjidhjes politike. Nga selia e Partisë Demokratike, Basha i quajti protestat e opozitës si bashkim kombëtar dhe të vendosur për ta çuar betëjën deri në fund. Sipas tij, Rama është i vetëm përballë këtij bashkimi.

“Kemi nisur qëndresën tonë dhe bashkimin tonë me 16 shkurt, i cili ka kulmuar sot në pjesëmarrjen më masive popullore në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresës që ka lindur dhe që nuk do të fiket derisa beteja me të keqen të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë protestat tona bëhen më të mëdha. Çdo ditë e më shumë bashkimi shqiptarëve bëhet më i vendosur. Mesazhi i sotëm është mesazhi i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë.

Ne sot japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nismë për Shqipërinë si gjithë Europa. Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës qeveri tranzitore zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të rikthyer Parlamentin te sovrani.

Ky bashkim i jashtëzakonshëm ka forcën dhe vendosmërinë për ta çuar këtë betejë deri në fund. Nuk do ta pranojmë më paligjshmërinë e një qeverie të dalë nga zgjedhje të faktuara ilegjitime, votime të manipuluara nga krimi, nuk do pranojmë më zgjedhën antikushtetuese kriminale, ndaj kësaj qeverie ilegjitime dhe këtij kryeministri të kapur në krim.

Ky kushtrim është dëgjuar dhe është mbështetur nga miqtë tanë strategjik, tani jemi bashkë dhe ai është i vetëm, i pashans përballë bashkimit tonë popullor, kombëtar dhe evropian. Ditën në vijim qofshin ditë të reflektimit të thellë për ata që mendojnë se mund ta marrin peng qeverisjen e vendit, për ata që i gënjen mendja se më 30 Qershor do ta mbysin demokracinë kjo nuk ka për të ndodhur. Forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja dhe përballje do të ketë deri në fitoren e kësaj beteje. Le të ndahemi me një mesazh të qartë dhe të prerë shprese dhe vendosmërie se ne jemi gati ta çojmë këtë betejë deri në fund, por po kështu paralajmërimi se kush mendon që me dhunën e paligjshmërisë do thyejë këtë vendosmëri gabohet rëndë dhe e pret vetëm përmbysja popullore.

Shkaktari do largohet, kjo i jep rrugë zgjidhjes politike. Këtë e dinë të gjithë, e di dhe Europa. Rama ik, hapi rrugë zgjidhjes politike. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombëtar që nuk pranojnë të keqen. Beteja jonë po shkon drejt çlirimit të Shqipërisë ndaj krimit, kërkesa ime është të qëndrojmë në këmmë dhe gati për ta çuar misionin tonë deri në fund”, tha Basha.

Protesta e kësaj të shtune e opozitës zgjati rreth dy orë e gjysmë. Ajo nisi përpara Kryeministrisë dhe më pas u zhvendos përpara parlamentit. Përgjithësisht gjatë gjithë zhvillimit të saj nuk pati incidente, përveç një rasti përpara Kuvendit.

Aty u hodhën mjete piroteknike dhe flakadanë, çka solli dhe reagimin e policisë që hodhi ujë në drejtim të protestuesve. E gjithë situata zgjati pak minuta, pasi Basha u zhvendos shumë shpejt drejt selisë së Partisë Demokratike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!