Debati për krimet e komunizmit, Braho-Tufës: Keni shkelur ligjin, po luani me zjarrin

schedule12:17 - 23 Maj, 2019

schedule 12:17 - 23 Maj, 2019

Periudha e komunizmit vazhdon të ngjallë debate edhe pas 30 viteve demokraci. I thirrur për të paraqitur punën njëvjeçare të Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Komunizmit, drejtori Agron Tufa përsërit shqetësimin se ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të jenë në funksione të rëndësishme edhe sot.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të marra masa, mundësisht urgjente për mënjanimin e ish-oficerëve të sigurimit të shtetit, prania e të cilëve në institucionet shumë të rëndësishme, të financuara nga buxheti i shtetit kanë arritur në një nivel shumë të lartë, të papranueshëm”, tha ai.

Për Tufën kontigjenti i ish-oficerëve të Sigurimit nuk e ka vendin në institucionet e shtetit. Kundërshtarin kryesor në këto deklarata, Agron Tufa ka deputetin e vjetër socialist Spartak Braho.

Zoti Tufa keni shkelur ligjin, jo vetëm se keni kaluar me tendencë periudhën, që jeni ngarkuar sepse nuk përbën periudha 41-44 periudhë e komunizmit, por periudhë e LANÇ për çlirim kombëtar. Ju hileqar keni qenë që në luftë, hileqar jeni dhe tani në demokraci”, tha Braho.

Ministrin e Brendshëm Lleshaj e këshillon të bëjë kujdes me informacionet që i përcjell.

Kini parasysh se ka një ligj që informacioni është i klasifikuar dhe studiohen vetëm dokumentet e deklasifikuara”, tha Braho.

Ndërsa drejtorin e Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Komunizmit e akuzon se e ka shndërruar këtë institucion në celulë të Ballit Kombëtar, një deklaratë që nuk kaloi pa reagime nga kryetari i kësaj partie.

Tufa po ju them se e keni kthyer institutin në celulë të Ballit Kombëtar. Jo vetëm se jeni mbledhur me kokrra, por po luani zjarrin duke shkelur ligjin dhe duke shfrytëzuar LANÇ të cilën nuk e bëtë ju e soji juaj”, tha Braho.

“Këtu ka intelektualë, këtu ka historianë, këtu ka njerëz të zgjuar, por të biem kaq poshtë në nivelin e këtij budallai këtu që juk di asgjë për historinë”, tha Adriatik Alimadhi.

Jo vetëm kaq, por Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi është i gatshëm të dorëzojë mandatin nëse vërtetohen pretendimet se ballistët kanë vrarë partizanët.

“Kur ky njeri thotë që Ballistët hanin pula a e kuptoni se ça do të thotë. Ju keni ngrënë koka njerëzish more. Nëse del një individ, një deputet, një historian, më jep një dokument të vetëm që Balli Kombëtar ka bashkëpunuar, Balli Kombëtar ka vrarë një komunist, një partizan, sinqerisht jap dorëheqjen absolutisht dhe e vë në dispozicion të procedurave të tjera ligjore”, tha Alimadhi.

 

Debatet mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare kanë vazhduar për krimet e komunizmit si një vijë ndarëse të qëndrimeve të majta e të djathta.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!