Prishtina këto ditë u bë nikoqire e disa ngjarjeve kulturore, të cilat, përveç që sollën vizitorë të huaj, e kthyen vendin edhe në vëmendjen e shtypit të huaj. Por, tensionet e ngritura në veri të Kosovës iu bënë konkurrencë këtyre lajmeve. Në dritën e luftës në Ukrainë dhe frikës për prishje të qetësisë edhe në një vend tjetër të Europës, mediat e mëdha ndërkombëtare këtë herë shkruan më zellshëm për një ngjarje që s’është e pazakontë për kosovarët.
Kosova u gëzua që ishte vendi i radhës që do të priste bienalen nomade europiane, e cila do të grumbullonte njerëzit e artit vendor dhe ndërkombëtar që ekspozuan krijimtarinë para admiruesve të tyre. Për kontribut në ngritje imazhi u mirëprit edhe mbajtja e Sunny Hill Festival me yllin e muzikës, Dua Lipa, si kryefjala e tij. Pritjet ishin reale meqë shumë ballina të mediave të huaja u zunë nga këto ngjarje. Megjithatë, shkrimi i emrit të Kosovës në një rresht me fjalët “tension” dhe “luftë” ia prishi humorin qytetarëve të Kosovës se si po prezantohet vendi i tyre në botë, raporton Gazeta Express.
Por, si u paraqit Kosova në mediat e huaja kur krejt këto ngjarje ndodhën në këtë muaj?
Mediat më të mëdha shkruan për ngjarjet në veri të vendit ku serbët bllokuan pikëkalimet kufitare me Serbinë për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë për reciprocitet në targa dhe dokumente me Serbinë.
Në anën tjetër, mediat e kulturës dhe showbizit i bënë jehonë atmosferës së Sunny Hill Festival dhe performancës së Dua Lipës dhe artistëve të tjerë ndërkombëtarë. Gjithashtu, emërimi i Dua Lipës si Ambasadore Nderi e Kosovës përforcoi relevancën e lajmeve për këtë festival.
Për Prishtinën, urbanizimin, objektet e kulturën u shkrua krah lajmeve për Bienalen.