Sondazh

 

Bankat lehtësojnë kushtet e kreditimit/ Rritet kërkesa për financimin e konsumit dhe blerje banesash

schedule13:58 - 21 Korrik, 2026

schedule 13:58 - 21 Korrik, 2026

Bankat lehtësuan kriteret e kreditimit për qytetarët në tremujorin e dytë të vitit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, kjo u evidentua si për huatë e dhëna për konsum, ashtu edhe për kreditë për blerjen e banesave.

Kërkesa për kredi nga individët u rrit gjatë kësaj periudhe e po ashtu edhe shkalla e miratimit të huave. Faktorët që kanë ndikuar lidhen kryesisht me nevojën më të madhe për financimin e konsumit dhe atë të blerjes së shtëpive, normat e interesit dhe besimin e konsumatorëve.

Sa i takon kredidhënies për blerjen e banesave, sipas bankës qendrore ndikim ka dhënë edhe ligji për rivlerësimin e pronave, duke u evidentuar si një tjetër faktor që ka nxitur kërkesën për hua në tremujorin e dytë të viti. Procesi i rivlerësimit me tatim të reduktuar ka nisur zbatimin prej marsit të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.



Ndërkohë, prej korrikut të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë vendosi masa kufizuese për marrjen e kredive për blerje banesash, po pavarësisht kësaj 2025 regjistroi nivel rekord, ndërsa duket se efektet e rregullores së  po reflektohen përgjatë këtij viti pasi huadhënia për këtë segment ka shfaqur një tendencë ngadalësimi.

Sa i takon bizneseve të mëdha, bankat ndoqën thuajse të njëjtat standarde kreditimi me fillimin e vitit dhe lehtësuan më tej kushtet për sipërmarrjet e vogla e të mesme. Referuar anketës së bankës së Shqipërisë, kërkesa e bizneseve për kredi nga sistemi bankar u rrit në tremujorin e dytë si për likuiditet ashtu edhe për financimin e investimeve dhe tendenca pritet të jetë e njëjtë edhe në muajt në vijim.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!