“Hamë bukë thatë”, çmimet rekord, shqiptarët të zhytur në varfëri: I kemi harruar erën mishit

schedule12:45 - 4 Gusht, 2022

schedule 12:45 - 4 Gusht, 2022

Çmimet e larta por edhe rrogat e ulëta të shqiptarëve kanë bërë që familjet beratase të mos e shtyjnë dot muajin me ushqimet bazë të shportës.

Me nga një rrogë të ulët por edhe vetëm me një përkrahje sociale,banorët e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet mujore të familjes pasi shumë produkte të shportës ushqimore kanë shënuar sërish rritje këtë muaj.

Banorët pohojnë se vaji, mielli, orizi, sheqeri apo edhe qumështi dhe nënproduktet e tij në markete e tregje gjenden me çmim 10 deri ne 20 lekë më shumë.

Kjo rritje e çmimeve ka shqetësuar mjaft konsumatorët, të cilët kërkojnë që qeveria të marrë masa, ose të ndikojë në uljen e çmimeve ose të rrisë të ardhurat, pra rrogat dhe pensionet.

“Të gjitha janë rritur, edhe buka. Është shumë e vështirë për familjet me rrogat e kësaj kohe dhe për pensionistët. Unë mishin e ble me shumë vështirësi.”

Sipas banorëve, paralelisht me rritjen e çmimit të ushqimeve qytetarët ankohen edhe për rritjen e çmimit të frutave dhe perimeve.

Ata pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve ka rënduar buxhetet e familjeve, që u duhet të kursejnë çdo gjë për të shtyrë muajin, madje edhe të kridhen në borxhe.

“Çmimet e ushqimeve janë rritur shumë, me listë i marrim ne. as përkrahje nuk marrim, po presim të na dalë pensioni. S’e kemi parë me sy mishin e viçit. Kofsha pule hamë. Asnjëherë nuk kemi bërë plazh.”

Të pyetur se çfarë produktesh konsumojnë më shumë në familje,banorët shprehen se në këtë sezon po konsumojnë më shumë perimet e stinës që janë edhe pak më të lira, ndërkohë që pohojnë se “mishit ja kanë harruar erën” sepse ka shkuar 1 200 lekë për kg dhe e kanë të pamundur ta blejnë.

“Çmimet janë shumë të larta, me pension nuk ia dalim dot. Të marrin masa se me një pension 12.000 lekë nuk ia dalim dot. Drita, ujë, ilaçe. Bukë thatë po hamë. Të gjitha ushqimet janë rritur. Mishi preu gojën, s’ka mish. I thonë 1200 lekë kilja, nuk e marrim dot.”

Banorët pohojnë se kjo situatë e rënduar  është krijuar pasi shumë familje ushqehen vetëm me një rrogë të kryefamiljarit apo kryefamiljares por ka edhe nga ato familje që jetojnë vetëm me përkrahje sociale./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!