Vrasja e 7-vjeçares ditën e djeshme nga polici Arjan Tase duket se po merr përmasat e një skandali që përfshin të gjithë Policinë e Shtetit, e cila me veprimet dhe mos veprimet e saj ka toleruar që një polic, i pezulluar dhe hetuar për bashkëpunim me grupet kriminale, rikthehet në radhët e policisë dhe posedon një skaf gjigant.
Për 24 orë me radhë, abcnews.al ka hedhur pikëpyetje mbi shkakun e insistimit të Policisë sëe Shtetit për të mos nxjerrë emrin e vërtetë të pronarit të skafit me dy motorë të fuqishëm që masakroi të miturën në plazhin e Potamit.
Lexo edhe: Pse Policia e Shtetit nuk zbardh pronësinë e skafit të krimit edhe 24 orë pas vrasjes së 7-vjeçares nga kolegu i tyre?
Pak më parë reagoi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila shpjegoi rrethanat e ngjarjes së rëndë, por nuk dha detaje mbi pronësinë e skafit apo rrethanat prej të cilave ish-shefi i Policisë së Himarës, Arjan Tase e kishte marrë në përdorim.
Lexo KËTU gjithçka mbi tragjedinë e djeshme
Pak më herët, gazetari i ABC Elton Nikaj mësoi nga burimet e tij se skafi ishte regjistruar në emër të një personi nga Elbasani të quajtur Adhurim Kushi. Nga një verifikim i bërë në QKB rezulton se Kushi ka në pronësi një lavazh si edhe një biznes të shitjes së makinave të përdorura.
Mësohet se Tase ka thënë në polici se skafin ia kishte marrë djalit të xhaxhait, por ka dyshime të forta mbi vërtetësinë e deklarimeve të tij, nisur edhe nga faktet e zbuluara sëfundmi.
News24 raporton se në fakt, skafi ishte në pronësi të Arjan Tases, por ishte regjistruar në emër të Kushit pasi ai, një punonjës policie, me një pagë maksimumi 90 000 lekë për shkak të gradës komisar, nuk mundej që ta justifikonte financiarisht një mjet kaq të shtrenjtë.
Mësohets e Tase është bashkëpronar në biznesin e dhënies me qira të skafeve dhe mjeteve të tjera të lundrimit në zonën e Porto Palermos në Himarë.
Zbulimi i një fakti të tillë hedh edhe më tepër hije dyshimi mbi “backgroundin” e policit që vrau në mes të plazhit 7-vjeçaren dje në Potam, por edhe mbi shkaqet e vërteta të fshehjes së pronësisë së skafit nga Policia e Shtetit.
Tashmë kjo e fundit duhet të japë shpjegime mbi faktin se si mundet që një punonjës policie, me një pagë të tillë, të mund të blejë një skaf gjigant të atyre përmasave dhe a lidhet kjo pronësi me detyrën e Tases teksa drejtonte Policinë e Himarës duke toleruar grupet kriminale për të mbytur zonën me hashash.
Vlen të theksohet se Tase u pezullua nga Policia pas operacionit të madh anti-drogë në zonën e Himarës pasi dyshohej se ai kishte toleruar mbjelljen e lëndës narkotike masivisht në zonën që kishte detyrë ta ruante. Tase nuk u shpall i pafajshëm nga gjykata, por prokuroria pushoi çështjen pasi prokurori i çështjes Maksim Sota u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe trafik droge.
Më pas, Tase u rehabilitua dhe u rikthye në Policinë e Shtetit nga vetë Gledis Nano. /abcnews.al