Abuzimi me tenderin, GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg Fatos Tushen

schedule18:52 - 29 Korrik, 2022

schedule 18:52 - 29 Korrik, 2022

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg, ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria e Posaçme fillimisht kërkoi dënimin me 5 vite burg për Tushen. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje me 1/3 e dënimit, ndërsa do ta kryejë në një burg të zakonshëm.

Ish-kryebashkiakut i hiqet gjithashtu e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vitet e ardhshme. Po ashtu, edhe ish-nënkryetari është dënuar me 1.8 vite heqje lirie.

Gazetari Ermal Vija raporton për abcnews.al vendimet për të pandehurit e tjerë.

Flamur Peqini 2 vite burg

Gentjan Nushe ish kryebashkiaku, 1.8 vite burg

Leonard Sefa, 1.6 muaj burg

Gerta Turku 1.4 muaj burg

Bardh Mëhilli,1.6 vite burg

Gazmend Çela, 1.8 vite burg

Margarita Gjermeni,1.4 muaj

Xhemal Hasko, 1.4

Andi Nushko, 1.4

Bektash Nezha, 1 vit burg. Del sepse ka përfunduar dënimin

Ani Simoni, 1.2 muaj

Ledi Aleksi, 8 muaj. Del nga burgu

Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik të vitit të kaluar bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës. GJKKO ka rrëzuar disa herë kërkesat e tij për liri dhe tashmë Tushe do të vuajë dënimin në qeli.

Arrestimi i tij u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.

Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK  ndonëse fituese u shpall “Euro Alb”, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si “miku” i ish kryebashkiakut.

Një tjetër episod  kundër ish-kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”. /abcnews.al