Miluoki fitoi finalen e parë të Konferencës Lindore në play off-in e basketbollit amerikan. Triumfi ndaj Torontos ishte shumë i vështirë, dhe u arrit vetëm në fund.
Ishin favoritë dhe i respektuan parashikimet. Basketbollistët e Miluoki Baksit fituan finalen e parë të Konferencës Lindore në NBA, pas një beteje të fortë ndaj Toronto Raptorsit.
Në duelin mes dy ekipeve të veriut, skuadra amerikane u tregua më e fortë se ajo kanadeze, me shifrat 108-100. Janis Antetokumbo dhe Bruk Lopez ishin më të mirët për vendasit, që patën mbështetjen e gati 20 000 spektatorëve në Arenën e Miluokit.
Antetokumbo shënoi 24, kapi 14 topa në tabela, shërbeu 6 pasime për kosh, vodhi dy topa dhe bllokoi tri gjuajtje të kundërshtarëve.
Lopez po ashtu ishte shumë lart me 29 pikë, 11 topa në tabela e 4 bllokime gjuajtjesh. Gjithsesi, Toronto kishte ardhur në Arenën kundërshtare me synimin për të fituar, dhe ishte në avantazh për një kohë të gjatë.
Falë yllit kryesor, Koui Leonard, kanadezët ishin 11 pikë përpara në fund të periudhës së parë, dhe 6 pikë në pushim. Jo vetëm, kaq por diferenca ishte +7 për Toronton në fund të periudhës së tretë, ndaj Miluoki rrezikoi të humbiste.
Leonard shënoi 31 pikë, më i miri në fushë, kapi 9 topa në tabela, dha vetëm 2 pasime për kosh, por bëri tri vjedhje topi. Vendasit realizuan përmbysjen vetëm në 2 minutat e fundit, duke krijuar një epërsi prej 8 pikësh.
Kjo, jo vetëm nga dy yjet kryesorë, por edhe nga mbështetja e skuadrës. Nikola Mirotiç pati 13 pikë dhe 6 topa në tabela, Kris Midëllton 11 pikë e 11 topa në tabela, ndërsa shumë mirë luajtën Brogdon apo Bledsou.
Finalja e dytë e Lindjes luhet mëngjesin e 18 majit, sërish në Arenën e Miluokit./ABC News Albania 24/7