Sulmi kibernetik, Rama i prerë: Hakerat s’na kanë kërkuar 30 milionë euro, pas tyre qëndron një shtet. Lufta s’ka mbaruar

schedule16:04 - 20 Korrik, 2022

schedule 16:04 - 20 Korrik, 2022

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur shpifje lajmet e publikuara në mediat shqiptare për një “gjobë” 30 milion euro që hakerat i kanë kërkuar qeverisë për të kthyer në funksion shërbimet online.

Sipas Ramës, AKSHI po lufton për të rimëkëmbur të plotë sistemin, ndërsa shton se pas këtij sulmi qëndron një shtet dhe jo thjeshtë një bandë online.

Mes të tjerash i pari i qeverisë shton se lufta ende nuk ka mbaruar ndërsa bën thirrje që të mos shpërndahen informacione të rreme.

Reagimi i Ramës:

AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj, po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Eshtë e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!

Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!

Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë!”

Kujtojmë se një ditë më parë autoritet siguruan se sistemet qeveritare dhe të dhënat e tyre nuk janë prekur nga sulmi kibernetik që i goditi ato në fundjavë, por i bërë publik një ditë më parë. Në një deklaratë të saj qeveria shpjegon se pavarësisht se bëhej fjalë për një “sulm kompleks dhe në shkallë të gjerë” duke ndjekur protokollet e reagimit, “u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave”.

Po ashtu në një postim të mëparshëm në Twitter, kryeministri Edi Rama shkroi se “kundërofensiva e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë, po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme. Agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje! Nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt”, bëri të ditur kryeministri.

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!