Është një ditë zie për Shqipërinë. Flamuri kombëtar u ul në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet publike e private për të nderuar Dëshmorin e Atdheut Major Klodian Tanushi.
Një minutë heshtje mbizotëroi edhe në Parlamentin Shqiptar. Në ditën e lamtumirës, përpara trupit pa jetë të majorit që ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, u përkulën të gjithë, pa dallim ngjyre politike.
Të afërm, miq, kolegë, midis të cilëve edhe i vetmi që mbijetoi nga shpërthimi i minës rreshter Kapaj zhvilluan homazhe në muzeun historik të Tiranës.
Nuk ishte vetëm major por edhe baba i tre fëmijëve Klodian Tanushi, më i vogli vetëm një vjeç. Dy djemtë e tjerë i dhanë përshëndetjen e fundit babait të tyre i mbuluar nga flamuri kombëtar.
Në ceremoninë shtetërore majori Klodian Tanushi mori vlerësimet më të larta nga kryeministri Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku .
Një minë që shpërtheu gjatë misionit në Letoni i mori jetën në vend nëntetares Zarife Hasanaj dhe plagosi për vdekje majorin Tanushi që nuk mundi ti mbijetoi plagëve të marra.
Betejën me jetën e humbi në spitalin e Rigës mbrëmjen e 10 majit. Në 16 maj ai përcillet me nderime në Varrezat e Dëshmorëve./ABC News Albania 24/7