Sri Lanka zgjedh presidentin e ri, protestuesit i dogjën shtëpinë dhe i sulmuan zyrën

schedule09:46 - 20 Korrik, 2022

schedule 09:46 - 20 Korrik, 2022

Deputetët e Sri Lankës kanë zgjedhur kryeministrin Ranil Wickeremesinghe  si presidentin e ri të vendit, pavarësisht jopopullaritetit të tij në publik.

Ëickremesinghe përballet me detyrën për të nxjerrë vendin nga kolapsi ekonomik dhe për të rivendosur rendin publik pas muajsh protestash masive.

Ai mundi thellë rivalin e partisë Dullus Alahapperuma, me 134 vota kundër 82 në votimin parlamentar të mërkurën, raporton BBC.

Ish-presidenti i Sri Lankës Gotabaya Rajapaksa u largua nga vendi javën e kaluar.

Ai shkoi në Maldive dhe më pas në Singapor pasi mijëra protestues sulmuan rezidencat e tij presidenciale dhe ndërtesat e tjera qeveritare, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Ata kishin kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Wickremesinghe, i cili u emërua kryeministër në maj. Protestuesit dogjën shtëpinë e tij private dhe gjithashtu sulmuan zyrën e tij kryeministrore në Colombo në demonstrata kundër udhëheqjes së tij.

Protestuesit kanë kërkuar vazhdimisht që ish-kryeministri, tani president të largohet.

Megjithatë Wickremesinghe i ka kundërshtuar këto thirrje. Ai mori automatikisht postin e ushtruesit të detyrës së presidentit pasi Rajapaksa u largua dhe fitorja e tij të mërkurën do të thotë se ai do të kryejë pjesën tjetër të mandatit presidencial deri në nëntor 2024.

Sri Lanka ka falimentuar dhe përballet me mungesa akute të ushqimit, karburantit dhe furnizimeve të tjera bazë. Wickremesinghe do të përpiqet të rivendosë stabilitetin politik në Sri Lanka në mënyrë që ajo të mund të rifillojë negociatat e ngecura me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një paketë shpëtimi.