Nga Marco Imarisio “Corriere della Sera”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Ai kishte folur për të në vitin 2015, gjatë konferencës së madhe për mediat me rastin e festave të fundvitit. Në përgjigje të një pyetje mbi Katerina Tikhonova-n, Vlaimir Putin u përgjigj me një pohim të nënkuptuar:”Une mund të them vetëm se vajzat e mia nuk do të merren kurrë me biznes. Dhe nuk do të merren kurrë as me politikë. Fatmirësisht, ato nuk kanë asnjë ambicie në këtë drejtim!”.
Por kohët ndryshojnë, madje ndonjëherë shumë shpejt. Që nga e premtja e kaluar, vajza më e vogël e Putinit, 35-vjeçarja Katerina, është përfshirë si në biznes ashtu edhe në politikë. Madje në një nivel shumë të lartë dhe delikat, pasi ka të bëjë me sektorin më delikat të ekonomisë ruse.
Sipas gazetës ruse të biznesit, RBC, ajo është emëruar bashkëkryetare e Këshillit Koordinues për zëvendësimin e importeve dhe pavarësinë teknologjike në Unionin Rus të industrialistëve dhe sipërmarrësve, ekuivalenti i Konfindustrias Italiane. Ajo do ta bashkëdrejtojë këtë këshill me Aleksandr Shokhin, ish-zëvendëskryeministër i qeverisë ruse.
Ky organ i sapokrijuar, synon të studiojë dhe gjejë një mënyrë për të zëvendësuar nëpërmjet prodhimit kombëtar lëndët e para që i mungojnë Rusisë për shkak të sanksioneve, duke filluar nga sektori i teknologjisë, më i prekuri nga masat e marra nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja pas datës 24 shkurt.
Putinët e vegjël po rriten. Katerina ka qenë gjithmonë më ambiciozja e familjes, duke zënë poste të shumta në administratë, edhe pse në prapavijë. Sot Katerina është gjithashtu zëvendës drejtore e Institutit për Kërkime Matematikore të Sistemeve Komplekse të Universitetit Lomonosov në Moskë.
Për të gjithë ajo është një nga dy vajzat e presidentit, që ai ka pasur nga martesa me gruan e tij të parë Lyudmila, edhe pse ashtu si të tjerat nuk është njohur kurrë zyrtarisht si e tillë. Por as lidhja e drejtpërdrejtë nuk është mohuar ndonjëherë.
Katerina i përket jetës së dikurshme të Vladimir Putinit. Ajo ka lindur më 31 gusht 1986 në Dresden të Gjermanisë Lindore, ku kreu i ardhshëm i Kremlinit, ishte për një mision sekret për llogari të KGB-në. Për arsye sigurie, ajo mori mbiemrin Tikhonova, nga gjyshja e saj nga nëna.
Pas rikthimit të çiftit Putin në Leningrad (sot Shën Petersburg), ajo studioi në një shkollë gjermane, dhe me transferimin e babait të saj në kryeqytet, Katya – kjo është shkurtesa “perëndimore” me të cilën thërritet – u diplomua në Fakultetin e Matematikës dhe Fizikës në Universitetin Lomonosov.
Ajo ishte gjithashtu pjesëtare e ekipit kombëtar të rock-and-roll akrobatik, me të cilin mori pjesë në kampionatet botërore dhe evropiane. Sipas agjencisë Bloomberg, gjatë viteve 2013-2018 ajo ishte e martuar me Kirill Shamalov, bashkëpronar i kompanisë “Sibur” në sektorin petro-gaz-kimik, djali i Nikolaj Shamalov.
Ky i fundit është themeluesi i bankës Rossiya, mik i Putinit dhe partneri i tij në resortin e famshëm të vilave “Ozero Dachas” pranë Shën Petersburgut. Një investigim nga faqja investigative ruse “iStories” dhe “Der Spiegel” zbuloi se në vitin 2017, Katerina kishte lindur një vajzë me balerinin Igor Zelensky.
Po atë vit, Putin deklaroi dy herë, dhe me njëfarë krenarie, se kishte lindur një tjetër nip i tij. Posti që mban Katerina është shumë peshë dhe përgjegjësi. Lëndët e para mungojnë:ditët e fundit, rrjetit të ushqimit të shpejtë “Good and that’s it”, që mori përsipër rreth 30 dyqane McDonald’s, iu desh të pezullonte furnizimin me patate të skuqura për klientët.
Ato që vinin nga tregu vendas, ishin të një cilësie aq të dobët, saqë nuk mund të përdoreshin. Të dhënat për prodhimin vendas të makinave, tregojnë një rënie prej 70 për qind, për shkak të mungesës së pjesëve përbërëse. Në muajt janar dhe shkurt të këtij viti, rënia e importeve ruse ishte 50 për qind krahasuar me të njëjtët muaj të vitit të kaluar, siç u detyrua ta pranonte edhe vetë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov.
Mallrat që vijnë nga Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia, nuk mjaftojnë për të zëvendësuar mungesën e furnizimeve nga Evropa (minus 74 për qind) dhe SHBA (minus 92 përqind). Një tjetër pasojë e bllokadës së huaj është forcimi i rublës, një zhvillim që cilësuar si “katastrofik për shoqërinë ruse” edhe nga Nikolaj Kulbaka, një nga ekonomistët më të njohur, që bën analiza në mediat proqeveritare. Pra Katerina Putina ka marrë “vendin në Diell” që e donte. Por mundësia për t’u “djegur” nuk është aq e largët. /abcnews.al


