Shehi: Duhet të jemi agresiv para porte, nesër kemi ndërtuar strategji tjetër

schedule18:10 - 18 Korrik, 2022

schedule 18:10 - 18 Korrik, 2022

“Ana psikologjike është mirë, nuk ka vend për të qarë atë që iku dhe në futboll ndeshja e radhës vjen shpejt. Sa mirë që rikthehemi pas një jave dhe ana psikologjike është e mirë për të përballuar një ndeshje ndaj një kundërshtari të ndryshëm nga ai që ishte një javë më parë. Përballemi me një skuadër që ka bërë mirë dhe ka traditë, ka të ndërthurrur eksperiencën dhe lojtarët e rinj. Është një ndeshje sa e vështirë por edhe e pranueshme. Nuk është për Champions, por luajmë sërish përballë kampionëve”, kështu e nisi konferencën, trajneri i Tiranës, Orges Shehi në prag të ndeshjes me Zrinjskit, e vlefshme për turin e dytë të Conference League.

Bardheblutë do të luajnë ditën e nesërme, ndërsa Shehi theksoi se sa i takon formacionit do të bëjë disa ndryshime.

“Kemi një formacion të pranueshëm përballë kundërshtarit të nesërm. Nesër do të ketë ndryshime pasi ndryshon edhe kundërshtari, kemi zgjedhur një strategji tjetër dhe në fushë do të shihet. Nesër shihen ndryshimet, jo sot. Flasim për një Tiranë që ka boshllëqe në organikë. Ka situata në futboll që të ulin entuziazmin, në 45-minutat e para me Dudelange pamë një Tiranë agresive dhe që shkonte sipas sezonit të kaluar.

Ne nesër kemi menduar një strategji tjetër se ndryshon kundërshtari dhe lojën do ta interpretojmë në mënyrë tjetër. Sa i përket Tiranës serioze siç ishte në sezonin e kaluar, ne këtë pretendojmë. Por, ne kërkojmë të shkojmë aty ku ishim sezonin e kaluar dhe më pas të përmirësohemi. Lojtarët individual rrisin vlerën e skuadrës, por ata kanë lojtarë të huazuar.

Ne kërkojmë që lojtarët që janë të përballojnë edhe kampionatin, ne nuk duam lojtarë në huazim për Europën. Përballjet në fushë do të tregojnë vlerën, e tregojnë dyluftimet individuale dhe ekipore. Vlerat në letër nuk janë domethënëse në fushë dhe nesër shpresoj të mos ketë dallim fare. Koha ikën dhe mbeten kujtimet, që kthehen ose në pengje ose në nostalgji. Kur humbet një ndeshje kërkon që pengjet t’i minimizosh ose t’i shtosh dhe thua sikur ta kisha bërë ndryshe.

Duhet të jemi agresivë dhe të dalim para porte, disa nga pengjet e ndeshjes që kaloi nuk janë rastet. E rëndësishme është t’i krijosh ato, por janë disa detaje që gabuam dhe humbën përqëndrimin. Këto i takojnë të shkuarës tashmë dhe nuk ka kthim pas. Kërkojmë të përforcohemi për të ardhmen, kemi marrë Hussein për të plotësuar organikën. Dy lojtarë do të afrohen dhe është çështje kohe. Klubi rrotullohet rreth stemës dhe tifozëve të cilët i falenderoj”.

Eksperienca me Skënderbeun në Europë, kjo Tiranë ka më pak kualitet dhe skepriencë? “Të gjithë e kujtojnë Skënderbeun që u fut në Europa League dhe mori pikë, por shumë harrojnë fillimin,. Skënderbeu fillimit ikte që në turin e parë dhe lojtarët edhe pse ishin me eksperiencë nuk shfaqeshin mirë, Skënderbeu nuk shkoi rastësisht duhet vazhdimësi.

Kam qenë vetë aty dhe na mbyste ndenja e inferioritetit. Pas pesë viteve dhe përballjeve vit pas viti më pas shkoi aty, ne jemi në fillime dhe skuadra ka nevojë për eksperiencë dhe të jetë aty. E nëse Tirana, nëse del kampione në sezonin e ri, do të jetë më mirë në Europë sepse është thelbësore eksperienca sepse cilësia nuk i mungon”.

Avantazhet e Tiranës dhe të kundërshtarit? “Kjo shihet në fushë, është një ndeshje e barabartë dhe fusha të jep përshtypjet për kundërshtarët. Edhe pse nuk është goli, ndeshja e parë është e rëndësishme për taktikën dhe psikologjinë. Por, sido që të jetë rezultati, kualifikimi nuk mbyllet nesër”, u shpreh Shehi. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!