Anëtarët e MEK në Manëz kanë qenë shënjestër e anëtarëve të një celule terroriste, që po planifikonte të kryente një sulm në Shqipëri. Sëfundmi kanë dalë edhe mesazhet e shkëmbyera mes anëtarëve të celulës terroriste, pjesë e dosjes hetimore në SPAK.
Në dosje thuhet se disa individë që flasin gjuhën turke kanë mbërritur në Tiranë dhe janë takuar me dy makina. Sipas të dhënave në dosjen hetimore, takimet zhvilloheshin në hotele të njohura të Tiranës dhe kanë pasur si qëllim përgatitjen e sulmit.
Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Gati për “luftë” me policinë, grupi i iranianëve do të largohej nga Kosova pas sulmit
“Kam dy ditë në Tiranë, do ta kryejmë punën e djalit të Hajit Pejman. Ne do lëvizim në drejtimin që na keni thënë ju. Po presim lajme prej teje vëlla. Jemi 4 veta që kemi ardhur këtu me dy makina. Kemi këtu dy ditë dhe shokët e tjerë i kemi sistemuar në hotel. Unë dhe shoku im jemi në hotelin tjetër”, thuhet në një prej mesazheve të shkëmbyera mes tyre.
Mehdi Abrishamshi numri dy i MEK dyshohet të ketë qenë shënjestra e celulës që po planifikonte të kryente sulme në Shqipëri. Sipas të dhënave të SPAK, rezulton se Abrishamshi ka qëndruar në Shqipëri për një kohë të gjatë dhe dyshohet se ishte vënë në shënjestër të celulës.
Anëtarët e celulës vëzhgonin lëvizjet e anëtarëve të MEK në Shqipëri për të planifikuar goditjen ndaj tyre. SPAK ka të dhëna të detajuara për lëvizjet e tyre në Tiranë dhe takimet apo bashkëpunimet që kanë pasur me anëtarë të organizatës. /BW