Gjatë një komunikimi që pati me gazetarët këtë të martë, kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse është i gatshëm të ulet në tryezë me Ramën për të diskutuar kushtet e zgjedhjeve.
Lideri i opozitës deklaroi se nuk është ai që përcakton kundërshtarin politik që ka përballë. Mirëpo sipas tij, kryeministri i vendit duhet të përcaktohet me zgjedhje të lira. Ndër të tjera, Basha theksoi se Rama nuk mund të jetë kryeministri i procesit të ardhshëm zgjedhor.
“Kundërshtarin politik nuk e përcaktoj unë, por kryeministrin duhet ta përcaktojë një proces i lirë zgjedhor. Edi Ramë nuk mund të jetë kryeministër i një procesi të ardhshëm zgjedhor. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën mund të çojë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është e panegociueshme. Arsyeja pse kemi ardhur këtu është kujdestaria e Edi Ramës mbi zgjedhjet, përdhunimi i zgjedhjeve nga Edi Rama. Pa larguar këtë shkak themelor të krizës nuk mund të ketë zgjidhje të krizës”, tha Basha.
Më herët, kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita mirëpret angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës./abcnews.al