Diçka do të ndodhë deri në 30 Qershor ka njoftuar Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp. Nuk ka pranuar të japë detaje kryetari i qeverisë, por ka paralajmëruar se situata politike në vend do të pësojë ndryshime pas thirrjeve të forta të ndërkombëtarëve.
Me sy e veshë nga kryeministri janë shqiptarët sa herë që njofton komunikim me gazetarët pas një proteste të radhës së opozitës. Zgjidhja që presin nga ai që i qeveris e që ka drejtimin e çdo hallkë të shtetit u artikulua me kode.
“Më 30 Qershor shumë nga gjërat që dëgjoni sot nuk do i dëgjoni më. Shumë nga gjërat që imagjinoni sot nuk do i imagjinojmë më, kështu që koha politike deri më 30 Qershor është shumë e gjatë”, tha Rama.
Ata që detyruan ta thotë këtë ishin mesazhet e forta të ndërkombëtarëve. Këshillon dhe opozitën që ta lexojë mirë mesazhin e tyre.
“Po ju them që kush di të lexojë mesazhe politike dhe diplomatike, ato nuk janë fundi, janë vetëm fillimi”, tha kryeministri.
E përbashkëta e thirrjeve që drejtuan selitë diplomatike brenda dhe jashtë Shqipërisë ishte kërkesa për dialog dhe dhënia fund e dhunës si nga opozita po ashtu edhe nga mazhoranca. Nëse nuk zbatohen këto kërkesa nga një vend anëtar i NATO-s diçka pritet të ndodhë njofton kryeministri Rama.
“Mos shkoftë puna deri në pikën që të turpërohemi ne si popull dhe si shtet nga çfarë do na dëgjojnë veshët dhe do na shohin sytë në adresë të atyre që quajmë udhëheqës, por sot po punojnë si udhëhumbur. Unë kam besim se gjërat do shkojnë duke u normalizuar në një mënyrë ose një mënyrë tjetër. Uroj që të normalizohen me hir dhe jo me pahirin e të gjendurit në një situatë ku realisht mund të dalë jashtë çdo lloj radari të jetës politike”, tha Rama.
Më herët përsëriti se zgjedhjet në 30 Qershor nuk shtyhen. Dorën opozitës ia ka shtrirë jo për negociata, por vetëm për dialog./ABC News Albania 24/7