Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Komploti ndaj Hitlerit, dhe përgjegjësia morale që kanë rusët për ta çliruar veten nga Putin

schedule12:40 - 15 Korrik, 2022

schedule 12:40 - 15 Korrik, 2022

Nga Elisabeth Braw “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

20 korriku shënon 78-vjetorin e përpjekjes së disa gjermanëve të nderuar, përfshirë ushtarakë, diplomatë dhe juristë, për të vrarë Adolf Hitlerin. Edhe pse komplotistët e dinin se vrasja, dhe përpjekja për grusht shteti mund t’u kushtonte jetën, ata vazhduan me planin e tyre, duke e ditur se një regjim i mbrapshtë duhej të pengohej me çdo kusht.



Natyrisht, Vladimir Putin nuk është Hitleri. Por edhe nëse u mungon busulla morale e komplotuesve të 20 korrikut 1944, dhe i mohojnë metodat e tyre, zyrtarët aktualë rusë duhet të paktën të imitojnë përpjekjet e tyre.

Po të mos ishte një gjyq në Gjykatën Popullore në Berlin më 3 shkurt 1945, njerëzit nuk do të dinin shumë mbi atentatin e 20 korrikut të vitit të kaluar. Sigurisht, ata do të ishin në dijeni se ajo ngjarje kishte ndodhur, dhe se ajo u krye nga koloneli Claus Schenk von Stauffenberg, një oficer i shumë-dekoruar dhe me origjinë nga një familje intelektuale.

Po ashtu, ata do të mësonin se përpjekja për grusht shteti përfundoi me ekzekutimin më vdekje të Stauffenberg dhe disa komplotuesve të tjerë. Dhe mund ta kenë mësuar se në javët dhe muajt në vijim, oficerë, diplomatë, juristë të tjerë u dërguan në litar pas gjyqeve farsë të drejtuara nga gjyqtari sadist Roland Freisler.

Shumë njerëz mund të kenë lexuar se pastori i njohur dhe i respektuar ndërkombëtarisht, Dietrich Bonhoeffer, dha jetën për rolin e tij në tentativën e grushtit të shtetit. Mund të thuhet me siguri se shumë prej tyre, nuk kanë parë pamjet e rralla që kanë mbijetuar nga gjyqi i Freisler ndaj kontit Ulrich Wilhelm Schwerin von Schwanenfeld, një oficer rezervë dhe një anëtar i përkushtuar i rezistencës kundër nazizmit.

Ata që i kanë parë pamjet nuk do t’i harrojnë kurrë ato. Në një moment, Schwerin von Schwanenfeld përpiqet të përmendë vrasjet e të pafajshmëve që ai kishte parë në Poloni, por ndërpritet menjëherë nga ulërimat histerike të Freisler:“Vrasje? Cilat vrasje?”.

Arsyeja pse shumë nga ne dinë shumë më tepër për 20 korrikun e vitit 1944, është se më 2 shkurt 1945, Freisler u vra dhe viktima e tij mbijetoi. Atë ditë, aleatët bombarduan Berlinin, dhe një nga bombat shkaktoi rrëzimin e një trau druri në sallën e Gjykatës Popullore, pikërisht në kohën kur Freisler po gjykonte avokatin e ri Fabian von Schlabrendoff, para se ta dërgonte të ekzekutohej.

Freisler vdiq, por von Schlarendorff i torturuar rëndë mbijetoi, dhe shkroi librin “Offiziere gegen Hitler” (Oficerët kundër Hitlerit), që u botua në vitin 1946. Në fillim Von Schlarendorff nuk u vlerësua për angazhimin e tij në shkruarjen e historisë së grushtit të shtetit të 20 korrikut dhe planifikimin e mundimshëm (por edhe tentativat për vrasje) që i paraprinë atij.

Gjermanët e pasluftës, nuk donin që të kujtohej kurajoja e atyre shumë pak njerëzve, që kishin guxuar t’i kundërviheshin Hitlerit. Por sot libri – dhe kujtimi i anëtarëve të guximshëm të komplotit të 20 korrikut, por edhe i grupit të rezistencës studentore Trëndafili i Bardhë – qëndrojnë si monumente të integritetit dhe moralit edhe nën regjimet më brutale.

Plani i komplotit të 20 korrikut, nuk ishte thjesht një përpjekje për të ndalur krimet e Hitlerit kundër vendeve të tjera, por edhe kundër shumë qytetarëve brenda vendit të tij. Ai ishte gjithashtu një përpjekje për t’u treguar pasardhësve, se jo të gjithë e mbështetën atë.

Falë 20 korrikut, gjermanët dhe bota e dinë se në mesin e së keqes së papërshkrueshme, të mundësuar nga shumë njerëz që nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë, ishin të paktën disa njerëz të gatshëm të rrezikonin jetën e tyre për të rrëzuar një regjim tiranik.

Kjo nuk do të thotë se zyrtarët në diktatura, kanë detyrimin të tentojnë ta vrasin diktatorin.

Por do të thotë – dhe kjo është veçanërisht e vërtetë sot për zyrtarët rusë – se ata duhet të reflektojnë mbi përgjegjësinë e tyre për të parandaluar dëmin e shkaktuar nga një sundimtar i padrejtë.

Oficerët, diplomatët dhe zyrtarët e tjerë të lartë rusë, do të bënin mirë të lexonin librin “Oficerët kundër Hitlerit”. Është e vërtetë:Vladimir Putin nuk ka nisur ende një luftë botërore, dhe ai nuk e ka shtypur plotësisht Rusinë siç bëri Hitleri me Gjermaninë.

Po ashtu, unë nuk sugjeroj që zyrtarët rusë duhet ta vrasin Putinin. Por ata kanë më shumë fuqi se sa pothuajse kushdo tjetër, për të ndryshuar kursin katastrofik që po ndjek aktualisht Rusia. Shumë prej tyre kanë gjithashtu një reputacion të mirë profesional. Ose më saktë e kanë pasur një të tillë.

Sot Sergej Lavrov është një person non grata në botën e diplomacisë. Ndaj takimi i ministrave të jashtëm të G-20 në Bali, e detyrua të zhvillohej pa të ashtuquajturën foto familjare. Ambasadorët rusë, që deri pak kohë më parë ishin pjesë e grupimi ndërkombëtar që krenohej me drejtësinë dhe ekspertizën e zgjidhjes së problemeve, duhet ta poshtërojnë veten nëpërmjet përsëritjes së gënjeshtrave të Moskës.

A ka disa prej tyre që kanë menduar të bëhen bashkë, dhe t’i thonë Putinit se do të japin dorëheqjen masivisht, nëse ai nuk e ndal luftën e tij brutale? Ndoshta jo. Ndoshta atyre u mungon morali që kishin dikur njerëz si Schlarendorff, von Stauffenberg, Bonhoeffer dhe të ngjashmit e tyre në Gjermaninë naziste.

Por edhe nëse është kështu, ata duhet të kenë parasysh të paktën pasardhësit. A duan vërtet të mbahen mend si figura pa shtyllë kurrizore, dhe si zyrtarë qesharakë? Edhe nëse vetëm për hir të fëmijëve dhe nipërve të tyre, ata duhet të reflektojnë në lidhje me trajektoren e tyre aktuale, dhe talljet thuajse të garantuara që do të pësojnë nga historianët. A po pyet ndonjë prej tyre se si mund ta ndryshojë situatën? Ne të tjerët nuk kemi gjë tjetër në dorë veçse të shpresojmë që po.

Shënim:Elisabeth Braw, anëtare e think-tankut “American Enteprise Institute” (AEI), ku ajo fokusohet në mbrojtjen kundër sfidave të reja të sigurisë kombëtare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!