Grupi i 20 ekonomive kryesore në botë do të takohen në Bali, teksa Indonezia mikpritëse kërkoi konsensus mes pasojave të luftës dhe rritjes së presioneve ekonomike për shkak të rritjes së inflacionit, shkruan The Guardian.
Ministrja indoneziane e Financave Sri Mulyani Indrawati tha se mund të ishte “katastrofike” për vendet me të ardhura të ulëta rritja e çmimit të ushqimeve dhe energjisë nëse liderët nuk do të mblidheshin.
Sri Mulyani tha se bota kishte shpresa të mëdha se grupi do të ishte në gjendje të gjente një zgjidhje për kërcënimin e trefishtë të luftës, rritjen e çmimeve të mallrave dhe efektet e tyre në aftësinë e vendeve me të ardhura të ulëta për të shlyer borxhin.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se kostoja e dështimit tonë për të punuar së bashku është më shumë sesa mund të përballojmë. Pasojat humanitare për botën, dhe veçanërisht për shumë vende me të ardhura të ulëta do të ishin katastrofike,” tha ajo.
Anëtarët e G20 përfshijnë vendet perëndimore që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe e kanë akuzuar atë për krime lufte në Ukrainë, si dhe vende si Kina, India dhe Afrika e Jugut, të cilat kanë qenë më të stepura në përgjigjet e tyre.
Sri Mulyani u bëri thirrje anëtarëve të G20 që të flasin më pak për politikën dhe të “ndërtojnë ura midis njëri-tjetrit” për të dhënë më shumë vendime dhe për të ndërmarrë më shumë veprime.
“Ne duhet të forcojmë frymën e multilateralizmit, duhet të ndërtojmë gjithashtu një rrjet sigurie për bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, tha ajo.
/abcnews.al