Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

LIVE/ Debate dhe ofendime në Kuvend, Berisha e tepron me gjuhën, merr masë disiplinore

schedule11:45 - 14 Korrik, 2022

schedule 11:45 - 14 Korrik, 2022

Kuvendi e ka nisur të enjten seancën plenare me interpelancë me ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca kërkuar nga deputeti Erion Braçe.

Po ashtu, në Kuvend sot do të prezantohen raportet vjetore për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për vitin 2021, Raport i Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021, Raporti i veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2021.

Gjithashtu do të prezantohet edhe një raport mbi veprimtarinë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2021, raport mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2021.



Këtë të enjte ligjvënësit do të shqyrojnë gjithashtu në Kuvend edhe projektligjin për krijimin dhe funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore si dhe Dekreti për kthimin e ligjit nr 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

 

20:04- “Ministre Spirobu**”, Berisha ofendon Spiropalin në Kuvend, Nikolla e ndëshkon me masë disiplinore

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka përdorur fjalor të papërshtatshëm gjatë fjalës së tij në Kuvend sot ndaj ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.

Si rrjedhoje kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, ndërpreu seancën plenare dhe njoftoi se Berisha ka marrë vërejtje disiplinore bazuar në nenin 63 masë disiplinore.
Fjala e Berishës: Salariotët nuk kanë të sosur, ky burri i dha 500 milionë lekë tenderin kuzhinierit të djalit, si puna e Salariotit që i dha Elkit vëllaut të kësaj ministres të Spirobuçit…

Pas kësaj Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla i ndërpreu fjalën Berishës dhe njoftoi se seanca plenare do të ndërpritet për t’i dhënë Berishës masë disiplinore për thyerje etike.

Ndërkohë Spiropali u përgjigj duke thënë se Berisha është shembulli se si nuk duhet të flasë dhe të jetë një njeri, një politikan dhe një gjysh.

“Je i turpëruar si burrë, si gjysh, si politikan, e nise të Skënderbeu i dytë dhe përfundove si Saliu i fundit. Je beterr i komunikimit, shpërdorues i fjalës. I ktheve përfundimisht përgjigje pyetjes që te mundon. Populli të flaku siç të meriton. Sot i dhe popullit përgjigjen se ti e ke merituar flaken e tij të SHBA-ve dhe të çdo deputeti që të kthen kurrizin dhe të këtij parlamenti gati sa nuk mbyll sytë kur flet ti. do punojmë për ti treguar brezat e ardhshëm se si nuk duhet të flasë një politikan“, tha Spiropali.

19:53- Plas debati në Kuvend, Spiropali-Berishës: O beterr i komunikimit, populli të flaku siç e meriton

Në seancën plenare të Kuvendit sot u zhvillua debat me replika dhe deklarata të forta midis  kreut të PD-së, Sali Berisha dhe ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Pjesë nga Debati:

Berisha: E dini ju hemorragjinë e tmerrshme të trurit që keni krijuar këto vite me mijëra mjekë, pedagogë, psikologë, juristë të shkëlqyer të të gjitha fushave ikin sepse ju bëni një luftë amorale shtresës së mesme. E dini ju që për 9 vite në universitete publike të vendit në mënyrën më skandaloze ju ndaluat mbrojtjen e doktoratave. E dini ju që doktoratat janë një nga rrugët më dinjitoze të kërkimit shkencor. Ku e dini ju çfarë është shkenca. Ju jeni shndërruar në qenie shtetërore. Kur ua heq votën ai si nuk ndjeheni të turpëruar kur dilni para nesh dhe para shqiptarëve? Ua them këtu, ose do riktheni votën ose do të dilni jashtë ligjit. Ju garantoj se do të bëj gjithçka që partia e cila nuk voton, të mos ekzistojë në harkun Kushtetues të Shqipërisë. Ju pret dalja jashtë ligjit. Të ndalohet me ligj, të nxirret jashtë ligjit. Prandaj filloni betejën për rikthimin e votës.

Spiropali: O shpërdorues i fjalës, o beterr i komunikimit. Dije se me këtë që the, e bëre sot këtu në parlament, i ktheve përfundimisht pyetjes që të mundon dhe nuk të lë të flesh natën, të do apo jo populli. Populli që të flaku siç e meriton ta ka kthyer përgjigjen dhe sot me këtë që the e bërë i dhe edhe popullit përgjigjen përfundimtare se e ke merituar flakjen e tij, të SHBA, të çdo deputeti që të kthen kurrizin dhe të këtij parlamenti që kur flet ti, sekëlldis mendjen, mbyll hundët, gati sa nuk mbyll sytë por do durojmë që ti tregojmë brezave të ardhshëm se si nuk duhet të jetë një burrë shteti.

Se si nuk duhet të flasë një politikan, se si nuk duhet të mendojë një njeri që përfaqëson popullin, si nuk mund ta përdhosësh shenjtërinë e vdekjes. Do durojmë, durimi me ty është i pafundëm për të provuar se atë që thoshte Pushkini që nuk ka iluzion më të ëmbël se të kujtosh kohët e shkuara dhe të pranosh të vërtetat e kohës. Nuk e pranon dot që e shkuara nuk kthehet më. Ky është problemi yt por nuk do të jetë i qytetarëve shqiptarë. Nuk mund ta mposhtësh Shqipërinë, nuk mund t’ia shkelësh ligjetJe i turpëruar si burrë, si gjysh, si politikan, e nise të Skënderbeu i dytë dhe përfundove si Saliu i fundit.

19:35- Berisha-mazhorancës: Po përdorni shkencën si mekanizëm për të vjedhur pronën publike, ju pret fati i Sri Lankës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi qeverinë se po përdor shkencën si mekanizëm për vjedhjen e pronës publike.

“Ju përdorni shkencën si mekanizëm për të vjedhur pronën publike. Pse e them? Sa është buxheti i tekno-hajnisë për shkencën? Është 1/57 e vendeve, jo të OCDE, por OSBE. A ka mundësi që të ekzistojë në mendjen e tyre ideja shkencë? Zero. Është absolutisht e vërtetë që kemi studiues të shkëlqyer, të cilët mund të bëjnë kërkime shkencore të një niveli shumë të mirë. Por çfarë ndodh me ju? Shihni pak rrogat e tyre. Ju i keni thënë laboratorit të Ricardo Husman, i cili shkruan për mrekullitë e Edi Ramës pavarësisht se Sri Lanka ju pret, shihni atë dokumentarin e Sri Lankës. Pse ju them Sri Lanka? Sepse keni të njëjtin laborator. Edhe ata paguanin Husman, edhe ju paguani Husman. Ju bëtë një joint venture me Sri Lankën. Atje shkonte Erion Veliaj, këtu vinte ai përfaqësuesi i Shoqërisë së Hapur të Sri Lankës. Ju garantoj se do të ndiqni fatin e njëri-tjetrit”, tha Berisha.

18:58- Salianji dhe Peleshi ironi në Kuvend: Meqenëse m’u drejtove me emër Niko…ju shtetin e keni lakuriq

Seanca plenare e ditës së sotme ka vijuar me debate mes deputetit demokrat Ervin Salianji dhe ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.

Salianji i ka vënë në dukje Peleshit se qeveria nuk ka bërë asgjë për të mbajtur nën kontroll zjarret që janë përhapur në vend, ndërsa Peleshi në përgjigjen e tij ka vënë në dukje arritjet e qeverisë në fushën e inovacionit.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi i është drejtuar Salianjit në emër, gjë që deputetit demokrat i ra mjaft në sy.

“Të thuash që ne nuk kemi çuar kallëzime se nuk besonim te drejtësia e vjetër, është të mos kesh bërë punën. Sot ata ekselentët në Korçë, meqenëse m’u drejtove me emër, Niko, duhet të aplikojnë direkt apo të kalojnë të Spiro? Ju e keni lakuriq shtetitn, e keni nxjerrë çdo të dhënë në shesh. Kur flasim për inovacion duhet të ketë ndëshkim dhe ligji të jetë i barabartë për të gjithë, të rinjtë duhet të besojnë që janë të barabartë që mos të marrin rrugët e Europës”, tha Salianji.

18:42- Salianji kritikon qeverinë për zjarret ne jug: Shyqyr që u zgjuat dhe çuat dy avionë, Peleshi: Nuk ka asnjë rrezik për banesat

Deputeti demokrat, Ervin Salinaji ka akuzuar qeverinë për menaxhimin e zjarreve në jug.

Teksa flet me ton ironizues ndaj ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, Salianji i thotë se qeveria nuk bën asgjë për zjarret.

Ndërkohe Peleshi iu përgjigj duke thënë se në malin e çikës ka mbi 100 forca të armatosura për të vënë nën kontroll zjarrin dhe se zjarri nuk rrezikon zonat e banuara.

Pjesë nga diskutimi

Ervin Salinaji: Çfarë bën qeveria kur bie zjarr? Thotë se kemi çuar 100 zjarrfikës, del perfekti dhe thotë kemi mbledhur 10 njerëz.
Shyqyr që u zgjuat dhe çuat dy avionë.

Niko Peleshi: Janë dy avionë, po fluturojnë aktualisht mbi malin e Çikës. Ka 100 forca të armatosura në malin e Çikës. Nuk ka asnjë rrezik për banesat.

Kujtojmë se Greqia dërgoi sot dy avionë për të shuar zjarret në jug të Shqipërisë.

Në veçanti, Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Yanes Lenarsic, në një postim në Twitter, thekson: “ Nxehtësia po godet edhe Evropën Juglindore, ka rrezikshmëri të lartë zjarresh. Pas një kërkese për ndihmë nga Shqipëria, nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Greqia ofroi ndihmë. Dy avionë zjarrfikës janë nisur tashmë drejt Shqipërisë.”

Nga ana e tij, përfaqësuesi përgjegjës Balas Uzvari vuri në dukje se “dy grekë Canadair tani janë nisur drejt vendit tonë”.

Kjo është hera e dytë për këtë vit, që Greqia i përgjigjet kërkesës së Shqipërisë për të dërguar avionë në vendin tonë.

Ndërkohë Evropa është prekur nga temperaturat ekstreme të cilat kanë shkaktuar zjarre dhe djegien e mijëra hektarëve. Zjarret vazhdojnë të shpërthejnë në pjesën më të madhe të Evropës mes një vale të të nxehtit ‘mbytës’ me temperatura që tashmë janë rritur në 45 gradë celcius dhe pritet të rriten edhe më shumë.

Portugalia është shkatërruar nga flakët e shumta që kanë pushtuar lagjen e Quinta do Lago ku pronat shiten nga 1 milion deri në 9.5 milion paund, ku gjithashtu ndodhet edhe shtëpia e yjeve si Roman Abramovich , Duncan Bannatyne, John Terry dhe Steven Gerrard.

17:25- Arben Ahmetaj akuza të forta Berishës: Ke vrarë më shumë se pandemia, si guxon të vish në parlament

Ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta kundër kreut të PD-së Sali Berisha. Nga foltorja e Kuvendit, Ahmetaj akuzoi Sali Berishën se ka vrarë më shumë se pandemia në Shqipëri. Ai i ka përmendur ish-kryeministrit vitin 94’, duke e akuzuar se ka thyer embargon dhe ka furnizuar me naftë makinerinë e luftës së Serbisë.

“Vjen flet ai që ka vrarë më shumë se pandemia. Mbajtësi i vulës së thyerjes së embargos në 94’. Ai ka mundur pandeminë me vdekjen. Prapë guxon vjen këtu. Dikush e përqesh dhe dikush e duartroket. Ai ka vrarë më shumë se pandemia. Nuk duhet të merremi me një njeri që nuk ekziston” tha Arben Ahmetaj.

17:12- “Djalli ka në SPAK shumë dosje”, Balla për Berishën: E hoqëm nga drejtësia, do e heqim dhe nga parlamenti

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka sulmuar nga foltorja e Kuvendit kreun e PD, Sali Berisha, duke i kujtuar se ai ka dosje të shumta në SPAK.

Balla e krahasoi Berishën me djallin dhe tha se ai tashmë është hequr nga drejtësia, por shumë shpejt do të hiqet edhe nga parlamenti.

“Seanca e sotme është një ndër ato seanca që në kalendarin e punimeve 1 vjeçare është më të rëndësihme. Në shumë vende, momenti i raportimit të instiutucioneve të drejtësisë është një moment solemn, ndërsa diskutimet kanë peshë dhe duhet të orientohen nga nevoja e respektimit të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve. Sot kuvendi i Shqipërisë ka dështuar në këtë të fundit.

Është keqardhje e madhe që sot të identifikojë mes fjalimeve një anatemim brutal të drejtuesve të institucioneve më të larta të drejtësië në vend. Madje djalli guxoi të shkonte deri në atë pikë sa të sulmonte biblën. Djalli është non grata. I mori emër për emër, përjashtoi vetëm zotin Kraja.

Sot dajlli ngriti përsëri kokë sa kohë që drejtësia nuk po bën detyrën e vet. Mori emër për emër ata dhe familjarët e tyre. Keqardhje e madhe për foltoren e kuvendit, për kuvendin që djalli përsëri ngriti krye edhe për SPAK që djalli sot nuk i zuri me gojë, për aq kohë sa djalli ka në SPAK dosje më shumë se çjanë librat e shenjtë. Ka një numër të konsiderueshëm dhe nuk është thirrur qoftë për njërën prej tyre. Ky foli për inceneratorët, por nuk foli për inceneratorin e Gërdecit. Sot djalli erdhi dhe i bëri gjyqin drejtësisë.

Nuk është turp për ne. Ne, mazhoranca e këtij vendi e kemi bërë standard qëndrimin tonë sa herë drejtësia ngre një akuzë ndaj një anëtari tonë. S’jemi zyrë avokatie për asnjë. Viti 2021 është viti i parë kur janë zbatuar urdhër arreste për ministra të mazhorancës në pushtet.

Djallin e hoqëm nga drejtësia dhe do e heqim edhe nga parlamenti. Do e heqim për punë ditësh ose javësh”, tha Balla.

16:28- Deklarata e fortë e Pandeli Majkos: Prangat duhet të tringëllojnë në dyert e politikës

Ish-kryeministri Pandeli Majko u shpreh sot në Kuvend se Reforma në Drejtësi ka sot kundërshtar populizmit.

Majko tha se ka ardhur koha që prangat të tringëlloj në dyert e politikës.

“Ecuria e reformës nuk ka të bëjë vetëm me njerëz që burgos, por me ata që u jep drejtësi. Sot Shqipëria e vitit 2022 ka mbledhur mjaftueshëm probleme. Aktualisht Drejtësia krahas krimit dhe korrupsionit ka edhe një kundërshtar tjetër: populizmi dhe qëllimi i pashpallur i tij për çmontimin e shtetit ligjor. Populizmi di ta përdorë të vërtetën për të gënjyer. Vendosja e drejtësisë në Shqipëri është përballur me përfaqësuesit e politikës populiste. Sot institucionet e drejtësisë kanë nevojë për përkrahje pasi vendosja e drejtësisë është revolucioni i kohës sonë. Nëse ai nuk ndodh do të trokasë rebelizmi i populizmit dhe sistemi do të bjerë. Uroj të ndodhë e duhura”, tha Majko.

Sipas tij “bërja e gjësë së duhur jo gjithmonë të bën të ndihesh mirë. Prangat duhet të tringëllojnë në dyert e politikës dhe lidhjet e saj me krimin e organizuar. Shpresoj që kjo periudhë e sistemit të drejtësisë të mos mbajë emrin e maçokut pipo”.

15:39- Alibeaj në Kuvend: Drejtësia e re nuk flet, por belbëzon

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj kritikoi reformën në drejtësi, ndërkohë që sot në Kuvend raportuan SPAK, KLGJ dhe KLP.

Alibeaj tha se 6 vite më parë kur u miratua reforma në drejtësi pritej që të shkëputej nga politika, por siç thotë ai kjo nuk ndodhi. Demokrati tha se drejtësia e sotme nuk flet, por belbëzon.

“Ajo se çfarë 6 vite më parë ishte që drejtësia të përthithte politikën e korruptuar. 6 vite kaluan dhe sot jemi duke përcjellë fjalë mallëngjyese.

Dëgjova përfaqësuesit e qeverisë dhe thanë se përgëzojnë institucionet dhe duan që të jenë të pavarur. Në momentin kur qeveria flet mirë edhe është e kënaqur, ky është problem, kjo s’duhet të ndodhte. Kjo ishte frymëzimi pse u bë reforma.

Drejtësia nuk flet, por vetëm belbëzon dhe jemi në një udhëkryq të madh. Ne duhet ta mbështesim padyshim. Mbështetja bëhet që ne politika, kjo sallë duhet të japë shembullin. Bëni vettingun politik. Kush del sot këtu dhe të pranojë këtë gjë?”, tha Alibeaj.

15:27- Gjiknuri thirrje organeve të drejtësisë: Jini të pavarur, mos hani presionin e politikës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damin Gjiknuri është koshient që Shqipëria po vuan pasoja për sa i përket drejtësisë, por shprehet i bindur se ky është një proces pa kthim.

Nga foltorja e Kuvendit, Gjiknuri i bëri thirrje organeve të drejtësisë që mos hanë presionin e politikës dhe të përpiqen që të krijojnë pavarësinë e plotë.

Gjiknuri: Drejtësia është ndërmarrje e vështirë dhe nuk mund të ndërtohet në një vend ku s’ka drejtësi sociale. Nuk mund të ndërtohet në një vend ku ka varfëri, ku s’ka bashkëpunim me njëri-tjetrin. Drejtësia do të marrë vitet e saj. Të gjitha këto shqetësime që ngrihen këtu dhe janë politike janë pasojë e vettingut dhe reformës. Jo në kuptim negativ. Patjetër po vuajmë disa pasoja, unë nuk mund ta mohoj. Njerëzit kanë shqetësim për vonesat e dosjeve gjyqësore. Problemi është si do ta bëjmë më mirë. Prandaj merren disa hapa, dhe ribërja e hartës së re gjyqësore. Harrojmë që gjëja më e rëndësishme është të dalë data e gjyqit, të zhvillohet gjyqi. Harrojmë që ligjin e kemi shkruar vetë. Kur flasim këtu zbatoni ligjin, qëndrojini atyre kritereve. Ky ishte një operacion i fortë, si të heqësh një tumor. Ju doni që një person sapo del nga operacioni të dalë dhe të vrapojë në fushë.  Institucionet e drejtësisë duhet të fitojnë më shumë pavarësi, nuk duhet të bien në presionin e politikës, nuk duhet të presë thika vetëm nga njëra anë.  Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi nga të gjitha anët. Nuk i bën mirë Shqipërisë kur zyrtarë dalin në këtë të mënyrë dhe ndëshkohen. Jo se nuk do vendoset precedenti që ata që shkelin ligjin të ndëshkohen. Por nuk i bën mirë imazhit tonë që Shqipëria të demaskohet. I kërkojmë organeve të drejtësisë, të forcojnë fuqinë e tyre, të jenë të pavarura, mos hanë presionin e politikës, të partive politike. Qoftë dhe ju opozitarët sepse keni format tuaja të presionit.

Në përfundim të fjalës, Gjiknuri theksoi që të vendosësh drejtësi nuk duhet të godasësh vetëm nga një anë.

15:18- Harta e re, Korreshi: Qytetarët pa shërbim, gjyqtarët duan të vinë me shtëpi në Tiranë  

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korresi nga foltorja e Kuvendit ka ngritur shqetësimin për kollapsin në sistemin gjyqësor, për shkak të grevës së avokatëve.

Korreshi kritikoi hartën e re gjyqësore, ndërkohë që qytetarët nuk po marrin shërbim. Sipas deputetit demokrat, kjo hartë po bëhet për t’ju shërbyer gjyqtarëve, pasi siç thekson ai të gjithë duan të vinë me shtëpi në Tiranë.

Parlamenti është bërë si han pa porta. Kjo reformë është në fil i vjetër etëm se kanë ndryshuar aktorët. Sot avokatët janë në protestë. Për këtë reformë në drejtësi për mënyrën si po e konceptoni këtë reformë. Sot kanë qenë në dyert e KLGJ të gjithë avokatët. Njerëzit nuk po marrin shërbim, janë bojkotuar të gjitha seancat. Ju nuk i dëgjoni. Vini këtu dhe i ndani fletë lavdërimi. Ku janë këto fletët? Si mund të jepet në këtë lloj forme. Sepse ju futët një drejtësi me gogla.

Kjo reformë dështoi që në hapat e parë dhe e tillë do të përfundojë. Ju kuptuat sesi mund ta coni këtë sistem në kolaps sepse i interesonte kryeministrit. Prej vitesh GJK nuk ishte funksionale. Ai sistem drejtësie që ju e bëtë çorap në këto 6 vite po mundoheni ta qepni. Nuk mund të konceptohet vetëm një gjykatë apeli kur ju ju plasi bomba te gjykata e apelit administrativ. Ju po eliminoni gjykatat e rretheve, është qesharake. Sistemi është në kolaps. Ju po e ktheni shërbim ndaj gjyqtarëve sepse të gjithë duan të vijnë me shtëpi në Tiranë. Mund të kthehet një sistem drejtësie me shtëpi në Tiranë. Po ne qytete e vogla nuk meritojmë një sistem në drejtësi”, tha Korreshi.

15:18- “S’mund t’ia përmendni vdekjen”, Açka “mbron” Berishën dhe këshillon socialistët: Jeni të detyruar ta respektoni

Deputetja demokrate Flutura Açka, i ka dalë “në mbrojtje” Sali Berishës në Kuvend dhe i ka kërkuar socialistëve që nuk mund t’ia përmendin vdjekjen, qoftë edhe atë politike.

Për sa kohë që ai është në Parlament, shprehet Açka, ka të drejtën e fjalën.

Pavarësisht qëndrimeve të deputetes ndaj ish-kryeministrit, Açka, i kërkon socialistëve të ristrukturonjë sensin dhe njerëzve t’i jepni të drejtën të vdesin ashtu siç ata mendojnë se duhet të vdesin.

Açka: Në këtë Parlament fjala vdekje përsëritet aq shpejt sa është kthyer në një makth për ata që ju dëgjojnë nga jashtë. Ky Parlament nuk duhet të flasë për vdekjen por për jetën, për shpresën. Njerëzit e përdorin për Sali Berishën, ju i dini qëndrimet e mia për Sali Berishën, por askush nuk mund t’i përmendë vdekjen njeriut, sa kohë tjetri është në Parlament dhe ka të drejtën e fjalës së tij. Më duket një gjë shumë e shëmtuar, që përmendet kaq shpesh fjala vdekje. Ju këshilloj të ristrukturoni sensin dhe njerëzve t’i jepni të drejtën të vdesin ashtu siç ata mendojnë se duhet të vdesin, në këmbë, ulur shtrirë, është drejta e tyre dhe për sa kohë janë në parlament jeni të detyruar të respektoni dhe të përmendi sa më pak fjalën vdekje, kjo është këshilla ime.

15:03- Trondit Berisha: 7 km rrugë në Tiranë kushtuan 210 milion euro, kryeqytetasit i paguajnë çdo ditë 80 mijë euro inceneratorit

Ish-kryeministri Berisha ka hedhur akuza të forta në lidhje me maxhorancën si edhe SPAK-un, i cili sipas tij nuk po heton politikanët e së majtës pavarësisht se abuzimet janë në kulm. Berisha përmendi skandalin e inceneratorëve duke theksuar se shteti shqiptar i paguan 80 mijë euro çdo ditë vetëm inceneratorit të Tiranës edhe pse pronarët e kompanisë janë në kërkim.

Ish-kryeministri përmendi edhe rrugën Ibë-Farkë, e cila sipas tij ka kushtaur 210 milion euro.

Çfarë ndodh me këtë drejtësi? A e dini ju që në aferën e djegësve Erion Veliaj vazhdon sikur s’ka ndodhur gjë dhe çdo ditë disbursohen nga paratë tuaja 80 mijë euro për këta hajdutë? Çfarë bën kjo drejtësi? Cila drejtësi është kjo? A e dini ju se 7 km rrugë nga Iba në Farkë kanë kushtuar 210 milionë euro? Ka kushtuar 30 milionë euro km. Ka shkuar 40% më shtrenjtë se kilometri në tunelin e Kalimashit. 100% më shtrenjtë se km në tunelin e Krrabës. Hetojnë këta…Prandaj këta u thurin lavde këtu dhe i duartrokasin”, tha Berisha.

14:44- Propozimi i Ramës për NATO-n, Berisha: Po përdor reputacionin e Aleancës për të mbuluar mega-aferën në Portin e Durrësit

Ish-kryeministri  Sali Berisha, e quajti mega-skandal propozimin e kryeministrit  Rama për NATO-n se për ndërtimin e një baze ushtarake të Aleancës në Porto Romano.

Jashtë dyerve të Kuvendit, Berisha u shpreh se kryeministri Rama për të mbuluar “mega-aferën” në portin e Durrësit kërkon të përdorë reputacionin e Aleancës.

Berisha: Ka qenë, është dhe mbetet fuqimisht një forcë pro-atlantike e vërtetë. Ajo mbetet e vendosur për një bashkëpunim sa më të ngushtë me aleancën dhe garantoj edhe një herë se është e gatshme t’i ofrojnë nesër në pushtet aleancës të gjitha lehtësirat aero-portuale që i duhen në territorin e Shqipërisë. E përshëndes faktin që nuk e përtypi mashtrimin e paskrupullt të Edi Ramës, i cili për të mbuluar mega-aferrën të përvetësimit të 1 mln metër katror të Durrës, kërkon ta mbulojë  me angazhimin e NATO-s në Porto Romano. Ky propozim është mega-skandal, kërkon të përdorë reputacion që ka Aleanca për qëllime te veta korrputive.  Është guxim i madh të dalësh dhe të shëtisës në një kohë kur ke damkën e një mega korruptori, e një persekutori të fjalës së lirë, në një kohë kur bën gjithçka për të larë paratë e krimit dhe për të bërë vendin tënd simbol të drogës dhe të krimit.

14:39- Deputetët s’i mbajnë dot të qeshurat, Spiropali “rrezikon të mbytet” ndërsa i përgjigjet Berishës: Të zë mallkimi i atij

Ministrja Elisa Spiropali ka rrezikuar të “mbytet” ndërsa po i përgjigjej replikave të bëra më herët nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Ndërsa mori një shishe ujë për të kaluar problemin, Spiropali tha duke qeshur: “Të zë mallkimi i tij.”

Ndërkohë nga salla deputetët e tjerë, si Gazment Bardhi dhe Saimir Korreshi  nuk mundën t’i mbanin dot të qeshurat.

“Ju e mundët Lulin, që u vetëmund edhe mendoni që me atë protestën me kuadrate në Bulevard keni mundur edhe Enkelejdin që s’diti kurrë ku ishte, e as ku do shkojë por do gëzoheni shumë edhe me Metën, ta gëzoni edhe Ilirin dhe u bëfshi bashkë me të se sa më shumë të bëheni aq më pak vota do të merrni.”

Në fjalën e saj në Kuvend, Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali ka ironizuar bashkimin e Berishës dhe Metës. Ndërsa u tha “ta gëzoni Ilirin”, Spiropali duke iu drejtuar opozitës shtoi se “sa më shumë të bëhen, aq më pak vota do të marrin.”

14:36- “Pse mbani sekret Vettingun”, Berisha: Njerëzit vdisnin nga Covid sepse u vodhën fondet

Sali Berisha nga Foltorja e Kuvendit ka ngritur pikëpyetje mbi Reformën në Drejtësi. Ai akuzoi qeverisë se ka vjedhur fonde nga buxheti i shteti gjatë kohës të pandemisë.

Ish-kryeministri  ka pyetur kryetaren e KLGJ, Naureda Llagani  se pse mban sekret vettingun e 3 gjyqtarëve. Sipas Berishës pasuria e tyre është e fshehur, por janë ushtarë të partisë prandaj dhe nuk hetohen.

Berisha: Çfarë ndodhi me zyrtarin më të lartë që u regjistrua se kërkoi 500 mijë euro për të afruar gjyqin në gjykatën e lartë? E dhanë të gjitha mediet. A ishte Metani apo Sadushi nuk mund ta gjej. Erion Veliaj vazhdon sikur s’ka ndodhur gjë dhe çdo ditë disbursohen nga paratë tuaja 80 mijë euro. Çfarë bën kjo drejtësi? Cila drejtësi është kjo? 7 km rrugë nga Iba në Farkë kanë kushtuar 210 milionë euro, ka kushtuar 30 milionë euro kilometri, ka kushtuar 40% më shtrenjtë se sa kilometri në tunelin e Kalimashit. A e dini ju qytetarë që vëllezërit, motrat, baballarët vdisnin nga Covid në Shqipëri si në asnjë vend tjetër në botë sepse vetëm vidhnin fonde të caktuara nga buxheti për shëndetin tuaj. Pse nuk hetojnë këta prokurorë në një kohë kur qeveria merr 340 mln euro nga xhepat tuaj? Pyeteni pak këtë zonjën e KLGJ-së pse mban sekret vettingun e Sokol Sadushit, Pupos dhe të gjykatësit tjetër të Gjykatës së Lartë. Ja u them unë. Sepse të tre e kanë vendin prapa hekurave, kanë pasur të fshehura. Ata janë ushtarë të partisë prandaj mbeten aty.

14:27- Berisha pyet SPAK-un: Pse nuk hetoni sarajet e Ramës?

Ish-kryeministri Sali Berisha me tone të ashpra i është drejtuar SPAK-ut  të hetojë pasuritë e Edi Ramës, por jo vetëm.

Berisha tha se përse nuk hetohet Rama për shtëpinë e tij si dhe pallati i familjes Basha (bashkëshortes së kryeministrit). Ish-kryeministri pyeti gjithashtu se përse nuk hetohet Rama, Ahmetaj dhe Veliaj për aferën e inceneratorëve.

“Ky është një parlament që vij vetëm për ju qytetarë. Futem në një parlament njerëzish të shndërruar në skllevër nga kryetari i tyre. Jam i vetëdijshëm se aty ku hiqet vota vihet droga, aty ku nuk flet vota, flet krimi.

Kanë ngritur një drejtësi që nuk ua pranon kurrkush më. Ju të dashur qytetarë e humbët përfundimisht të drejtën për të pasur një proces të drejtë. Me dosjet e krijuara do prisni 20 vite ose do paguani qimet e kokës për të afruar procese gjyqësore. do të paguani shumëfishin e asaj që paguanit më parë.

Pyesni pak përfaqësuesit e  SPAK, KLGJ e me radhë t’ju thonë pse nuk hetojnë sarajet e Edi Ramës me gjatësi themelesh 57 metra, me oborr 5 mijë metra, të deklaruar që e ka blerë me 2 euro.

Pse nuk hetojnë pallatin  familjes Basha? Por shpërblejnë ndërtuesin vetëm para tre javësh. Pyesni pak këtë drejtësi pse nuk hetojnë Ramën dhe Ahmetajn, Veliajn dhe Agaçin për aferën e djegësave”, deklaroi Berisha.

13:46- “PS nuk do t’i bëhet mburojë askujt”, Çuçi: Reforma në Drejtësi me rezultatet më të jashtëzakonshme për Shqipërinë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si më të suksesshmen në Shqipëri. Ai ka renditur gjatë fjalës në Kuvend disa nga arritjet e Drejtësisë së Re. Edhe pse e cilësoi një proces të vështirë që do kohë të konsolidohet, Çuçi shprehu bindjen se drejtësia do të vijojë të japë rezultatet që mazhoranca i premtoi shqiptarëve.

Çuçi: Askush nuk e ndalon Prokurorinë të hetojë. PS nuk i është bërë mburojë askujt deri më sot dhe nuk do t’i bëhet. Është një moment shumë i mirë që ne të bëjmë një bilanc të reformës m,ë të rëndësishme të një shoqërisë siç është Reforma në Drejtësi. Është marrë me seriozitet që ditën e parë nga maxhoranca jonë, është mbështetur nga partnerët që na asistojnë në ngritjen e institucioneve dhe e kundërshtuar herë haptas, herë nën rrogoz nga eksponentë të opozitës. Reforma në Drejtësi, si më e madhja për një shoqëri duhet parë si një mozaik të cilit duhet t’i largohesh pak për të parë se çfarë efektesh ka dhe si është ndërtuar deri në këtë moment.

Në një bilanc 5 vjeçar është një nga reformat me rezultatet më të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Për herë të parë të realizohet procesi i vetingut. Së dyti janë krijuar dhe janë tërësisht funksionale institucionet e reja, KLGJ, KLP, ILD dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Është ngritur një strukturë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për herë të parë drejtësia është një pushtet i pavarur dhe po kryen funksionin për të cilin është krijuar. Besoj se ne e kemi fituar betejën me shqiptarët kur i premtuam një drejtësi të pavarur. Askujt nuk i shkonte ndërmend derisa ka filluar të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë se kryetarë bashkish, ministra të partisë qeverisëse janë hetuar po hetohen dhe ka akoma për të bërë.

Ministri theksoi se nuk është e lehtë pasi është një proces që kërkon kohë të konsolidohet por vetëm duke ngritur sisteme të qëndrueshme do krijohet një shtet i qëndrueshëm.

13:31- “E ka marrë emrin Drejtësi e Re, por vijon të jetë e vjetër”, Bardhi: Nëse ke mbrojtjen e Ramës, institucionet ulin sytë. Çfarë po ndodh me katet pa leje të kullave në Tiranë

Gazment Bardhi ka “sulmuar” Drejtësinë e Re gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ai e quan Reformën në Drejtësi një zgjatim të drejtësisë së vjetër e cila nuk ka ndëshkuar të “paprekshmit.” Demokrati akuzoi kryeministrin Rama se i ka dhënë statusin “të paprekshëm” nga drejtësia personave që janë në oborrin e tij.

Bardhi: Kjo reformë do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe do t’i jepte fund një grushti njerëzit që qeverisin. 6 vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi secili prej jush që e besonte këtë, bashkë me mua pyet veten a ka ndodhur kjo? Dikush mund të thotë që është ende fillimi, është shpejt. Edhe unë bëj pjesë në atë kategori që mendoj se institucionet janë në provë dhe duan inkurajim, por koha kalon.

Duhet të kishim parë se të paprekshmit të ndjenin frikën e asaj që quhet drejtësia e re. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. E ka marrë emrin drejtësi e re, por në thelb vazhdon të jetë drejtësi e vjetër. 3304 qytetarët që janë dënuar për ndërtime pa leje nuk janë pjesë e oborrit të kryeministrit.

Nëse ke mbrojtjen e tij, drejtësia e re ul kokën, mbyll sytë dhe nuk shikon. Nëse je pjesë e oborrit të kryeministrit mund të ndërtosh plot 5 kate pa leje në mes të Tiranës dhe gjithë institucionet ulin kokën dhe nuk shikojnë. Të gjithë janë në garë kush t’i shërbejë më parë për të fshehur ligjin.

Deputeti demokrat theksoi dhe një herë se “ligji vepron kur ndërtojnë njerëzit e thjeshtë, por kur ndërtojnë oligarkët me të cilët qeveria ndan paratë ligji ul kokën.”

“Si mund të vendosësh shtetin në dispozicion të pandëshkueshmërisë? Pse nuk e bën këtë Rama për një çati në një fshat të Shqipërisë. 3304 qytetarët nuk janë të barabartë me ndërtuesit e gradaçelave në Tiranë.

Edi Rama e di se për oborrin e tij e ka vënë poshtë vetes drejtësinë. E di se Inspektoratet, bashkia, policia, prokuroria, drejtuesi i SPAK do ulin kokën dhe do bëjnë sikur nuk e shohin paligjshmërinë në mes të Tiranës sepse atë e ka ndërtuar dikush që Rama i ka dhënë statusin i paprekshëm.

Këtë ju e quaji drejtësi e re? Ngrijeni kokën dhe na tregoni që ligji është i barabartë për të giithë. Na tregoni që jeni vërtet Drejtësia e Re.”, tha ai.

“Të nderuar kolegë, të jemi të vërtetë me qytetarët. Të paktën ti kursejmë talljen shqiptarëve, të mos i themi drejtësia është e re për 3304 qytetarë të zakonshëm që dënohen pse ndërtojnë pa leje catinë e shtëpisë së tyre, por është më e vjetëruar se e vjetra kur ndërton 5 kate në mes të Tiranës pa leje sepse je ortak i Edi Ramës, je KASTRATI dhe gëzon statusin “i paprekshëm”. 

Lexo lajmin e plotë KËTU

13:26- Harta e re gjyqësore, Manja: Jo të gjitha palët do të kënaqen, mekanizmi i duhur

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja komentoi në Kuvend raportet vjetore që u prezantuan KLGJ, KLP dhe Prokuroria e Posaçme.

Ndër të tjera, Manja evidentoi sfidat e këtyre institucioneve të reja të drejtësisë për vitin e ardhshme. Ministri tha se është e domosdoshme plotësimi me trupën e nevojshme të inspektorëve në ILD.

Lidhur me SPAK, Manja u shpreh se edhe për këtë institucion është i nevojshëm plotësimi me numrin e prokurorëve. Sakaq, për KLGJ-në, Manja vlerësoi edhe njëherë punën e bërë nga ky institucion për hartën e re gjyqësore. Duke iu referuar kritikave, ministri tha se kjo hartë nuk do të pranohet nga të gjitha palët, por është mekanizmi i duhur.

ILD raportoi në Kuvend. Është një organ i ri. Duke u nisur nga treguesit e punës që raportoi vetë, ngelen ende disa problematika dhe sfida. E para ka të bëjë me trajtimin e stokut të ankesave të pashqyrtuara. Inspektori deri tani e ka ushtruar veprimtarinë e vet vetëm me tetë inspektorë.

Do të finalizojmë metodologjinë e inspektimit brenda këtij viti. Por të gjitha këto sfida janë të lidhur me plotësimin e numrit të nevojshëm të inspektorëve Aj që vlen është një punë e lavdërueshme.

Për Prokurorinë e Përgjithshme, natyrisht që arritjet i evidentoi Prokurori i Përgjithshëm. Duhet të bahte në konsideratë për vitin në vazhdim puna për pastrimin e parave.

Duhet të finalizojmë sa më shpejt për emërimin e 250 oficerëve të policisë gjyqësore. plotësimi i trupës së oficerëve me numrin e nevojshëm që ne tashmë e kemi miratuar.

Për KLP, mbetet sfidë emërimi i tre prokurorëve të tjerë në SPAK. Lidhur me SPAK numri ngelet sfidë. Sfidë hetimet proaktive. Inkurajojmë që të rritet. Prioritet plotësimi i BKH. Po ashtu plotësimi i eksesit të SPAK në databazat e institucionet shtetërore.

Për KLGJ, ndryshe nga KLP, ka jo vetëm menaxhimin e karrierës së gjyqtarëve, por edhe administrimin e sistemit. Dje patëm një diskutim të gjatë për hartën e re. Një punë e lavdërueshme. Jo të gjitha palët do të kënaqen me hartën e re, por është mekanizmi i duhur. Do ti japë zgjidhje të gjitha sfidat që kemi në sistemin gjyqësor”, deklaroi Manja.

12:53-Kryetarja e KLGJ: Me hartën e re gjyqësore qytetarët do të kenë akses të barabartë kudo që ndodhen

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagani ka raportuar sot në Kuvend mbi veprimtarinë vjetore të institucionit që ajo drejton. Ndër të tjera, Llagani u ndal te harta e re gjyqësore që ka sjellë kaos në sistem, pasi avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore.

Ajo theksoi se është kryer një cikël konsultimesh dhe më pas u ngrit grupi i punës për të hartuar riorganizimin e gjykatave. Sipas Llaganit me miratimin e kësaj harte të re synohet që qytetarët të kenë akses të barabartë në të gjithë vendin, kudo që ndodhen.

“KLGJ në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësia përfundoi ciklin e konsultimeve e për hartën e re. U kryen konsultime me 6 grupe të interesit dhe dy takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit.

Opinioneve iu nënshtruan një procesi vlerësimesh. Në datë 10 qershor KLGJ miratoi grupin e punës për riorganizmin e gjykatave. Nga 22 gjykata në 13. Nga 6 gjykata apeli në një me seli në Tiranë. Nga 6 gjykata administrative në dy, me seli në Lushnje dhe Tiranë.

Me miratimin e hartës së re synohet që t’u ofrohet qytetarëve kudo që ndodhen akses i barabartë”, deklaroi Llagani.

12:35-Kraja raporton për SPAK-un në Kuvend: Dhamë rezultate, kemi dënuar funksionarë të lartë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja ka prezantuar sot në Kuvend veprimtarinë e institucionit që ia drejton gjatë vitit 2021.

Ndër të tjera, Kraja theksoi se SPAK ka luajtur një rol aktiv dhe ka dhënë rezultate të dukshme. Kreu i SPAK vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe autoriteteve ndërkombëtare.

Sipas tij, gjatë vitit 2021 një fokus të veçantë ka pasur lufta kundër korrupsionit, teksa tha se janë dënuar funksionarë të lartë publikë.

Pjesë nga deklarata e Arben Krajës:

“Prokuroria e Posaçme ka ushtruar funksionet e saj. Nga SPAK janë mbajtur parasysh rezolutat e Kuvendit, rekomandimet e Këshillit të Ministrave.

Gjatë 2021 ka pasur një rol aktiv. Institucioni ka ardhur duke dhënë rezultate të dukshme. Rezultate janë rritur falë përkushtimit maksimal. Janë marrë masat për garantimin e pavarësisë së prokurorit.

SPAK ka realizuar bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, policinë, KLSH etj. prioritet tjetër ka qenë konsolidimi dhe rritja e bashkëpunimit me autoritetet e huaja. Janë kryer hetime dhe aksione të përbashkëta.

\në sak kanë ushtruar funksionin 15 prokurorë. Kanë ushtruar 13 oficerë të policisë gjyqësore. Në shtator kanë fituar detyrën 28 hetues të BKH. Gjatë 2021 SPAK ka vlerësuar rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë.

Në 2021 janë regjistruar 15 procedime penale të pastrimit të veprës penale. Janë dënuar 11 të pandehur. Janë konfiskuar pasuri. Mbi 70 milion euro pasuri të konfiskuara.

Bashkëpunimi me policinë e shtetit është një domosdoshmëri. Përkrah detyrimeve ligjore është vënë theki në hetimet e vetë prokurorëve. Për luftën kundër korrupsionit, SPAK ka qenë e fokusuar sidomos në nivele të larta. Janë deklaruar fajtorë subjekte që kanë ushtruar funksione të larta. Gjatë 2021 janë ndjekur me përparësi veprat penale në zgjedhje.  Gjatë 2021 ka pasur në fokus luftën kundër terrorizmit.

11:55-Olsian Çela raporton në Kuvend: Janë rritur rastet e hetuara për korrupsion

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar sot në Kuvend për kriminalitetin në vend gjatë vitit 2021. Ndërkohë, që dha shifrat, Çela tha se institucioni që ai drejton ka përmbushur objektivat. Ndër të tjera, Çela theksoi se gjatë 2021 janë dënuar 8371 të pandehur.

Lidhur me korrupsionin, kryeprokurori tha janë rritur rastet e hetimit dhe se se ka përfunduar me arrestimin e 40 personave të dyshuar. Prioritet të prokurorisë, Çela vlerësoi edhe luftën kundër pastrimit të parave.

Pjesë nga deklarata në Kuvend:

Qarku Vlorë ka nivelin më të lartë. Qarku Dibër nën mesatare. Veprat penale kundër rendit, përbëjnë numrin më të lartë. Me një rritje 9% krahasuar me një vit më parë.

Janë dënuar 8371 të pandehur. Ka një rritje të numrit të të pandehurve të dënuar dhe ulje të pafajshmëve.

Lufta kundër pastrimit të parave ka qenë një objektiv për vitin 2021. U vu në funksion sistemi elektronik. Rezultati e arritura janë vlerësuar në vijimësi nga ekspertët.  Kanë rezultuar 1406 procedime penale për dhunë në familje.

Ende mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim. Prokurorët sipas kërkesave kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetimeve proaktive për veprat e korrupsionit. Ka përfunduar me arrestimin e 40 personave të dyshuar.

Për krimet zgjedhore, prokuroria në përmbushje të objektivave përveç miratimit të masave administrative, drejtuesit e prokurorive morën masa për funksionim. Kanë raportuar të dhëna për vepra penale që kanë prekur zgjedhjet e lira. Raportet janë dërguar institucioneve kushtetuese. Janë rritur procedimet e regjistruara. Është rritur numri i të pandehurve. Janë ndjekur 47 procedime penale për zgjedhjet, 7 çështje me 52 të pandehur dhe janë dënuar 46 persona për vepra si falsifikimi, shkelje e fshehtësisë së votimit etj.

Për sa i përket dekriminalizimit, prokuroria ka vijuar intensivisht punën për verifikime të thelluara. Janë regjistru 121 procese, nga këto kërkesa rezulton se për 58 është vendosur mospranimi i kërkesave dhe për 63 ka vijuar.

Mungon regjistri i shqiptarëve të dënuar jashtë vendit.

Rregullimi ligjor aktual vështirëson, në kuptimin e ushtrimit të detyrave. Rregullimi ligjor aktual për shkarkimin e drejtuesve nuk është i qartë. Vlerëson se organi i prokurorisë i ka përmbushur objektivat.

11:34-Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë, përplasje Nikolla-Alibeaj: Vendimi është marrë pa praninë time

Ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë seanca plenare për këtë të enjte. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për gjenocidin në Kosovë ka përplasur në fillim të seancës kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe kryeparlamentaren  Lindita Nikolla.

Si anëtar i Konferencës, Alibeaj tha se mund të sigurojë që nuk është mbajtur një takim, ndërsa Nikolla u shpreh se mbledhja është bërë dhe se votimi mund të shihet në procesverbal.

Alibeaj“Po abuzoni për të disatën herë me pozicionin tuaj. Sapo thatë që është vendosur në konferencën e kryetarëve që rezoluta për gjenocidin serb do kalojë për votim. Nuk është diskutuar dhe nuk është vendosur. Nuk ka si të vendoset. Rregullorja e ka të qartë se cilat janë hapat proceduriale. Duhet përcaktuar dita dhe data kur seanca duhet të debatojë. Rregullorja përcakton edhe faktin tjetër që duhet të ishte ajo data tjetër brenda 274 qershorit. Jeni me shkelje të procedurës por po thoni edhe diçka që nuk është e vërtetë. Duhet për të korrigjuar gabimet e bëra deri më tani por mbi të gjitha për të bërë nderin e duhur lidhur me detyrimin moral që ky kuvend ka.

E kaluam radhës së kaluar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe nuk kalojmë gjenocidin serb në Kosovë. Ju merrni përsipër të thoni gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Seanca jonë duhet të jetë projektrezoluta jonë. Nuk ka rrugë tjetër. Është mundësia juaj e fundit për të korrigjuar këtë vendim.”

Nikolla: “Ka një vendim të datës 15. Kemi bërë edhe debat. Kanë folur edhe kolegë të opozitës dhe është vendosur. Pro keni votuar të gjithë. Nuk ka pasur kundërshti që ne të vazhdojmë me Komisionin e Politikës së Jashtme.”  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!