Çfarë ndodh nëse ndërpriten furnizimet me gazin rus në Gjermani?

schedule08:23 - 12 Korrik, 2022

schedule 08:23 - 12 Korrik, 2022

Gjermania, ekonomia e katërt më e madhe në botë, po përgatitet për të gjithë skenarët, përfshirë edhe ndërprerjen e plotë të furnizimeve me gaz natyror rus pasi të përfundojë periudha e rregullt 10-ditore e mirëmbajtjes në tubacionin Rrjedha Veriore 1.

Punimet në mirëmbajtjen e gazsjellësit, që sjellë gaz rus direkt në Gjermani, nisën më 11 korrik, por Berlini po shqyrton nëse gazi po përdoret nga Kremlini për të ushtruar presion politik ndaj Perëndimit, gjë që mohohet nga Moska.

Më poshtë mund të mësoni disa nga rreziqet nëse periudha e ndërprerjes së gazit zgjat më shumë ose nëse gazsjellësi rihapet me furnizime të reduktuara:

Pse është kaq e rëndësishme Rrjedha Veriore 1?

Ky gazsjellës përbën rrugën më të madhe për gazin rus për në Gjermani, duke sjellë 55 miliardë metër kub gaz në vit. Gjermania ka konsumuar 100 miliardë metër kub gaz vitin e kaluar.

Dërgesat me gazin rus që vinin përmes Polonisë janë ndërprerë këtë vit dhe ato që transportohen përmes Ukrainës janë kufizuar nga lufta.

Gjysma e familjeve gjermane varen nga gazi për ngrohje, veçmas nga muaji tetor e deri në mars dhe një dështim për të rihapur gazsjellësin Rrjedha Veriore 1 do të prishte planet për të rimbushur depotë nëntokësore të gazit, për t’u përgatitur për sezonin e dimrit.

Depotë nëntokësore, në teori, do të mund të përmbushnin kërkesën për 2 muaj e gjysmë, por ato janë të mbushura vetëm 64.6 për qind të kapacitetit, krahasuar me synimin që deri në tetor këto depo të jenë të mbushura deri në 80 për qind të kapacitetit të tyre.

Ndërkaq, në mbarë botën ka një treg të ngushtë për alternativë të gazit dhe çmimet janë rritur që nga viti i kaluar pas rritjes së kërkesës.

Si dhe kur do të kufizonte Gjermania gazin për konsumatorët e saj?

Nëse Gjermania do të vendoste të aktivizojë fazën tre të planit emergjent, rregullatori i rrjetit, Bundesnetzagentur, do të mandatohej që të sigurohej që shpërndarja e gazit do të bëhej në mënyrë të drejtë.

Kjo fazë do të shkaktohej nëse do të kishte rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për gaz apo ndërprerje të mëdha në furnizim, si për shembull nëse Rrjedha Veriore 1 do të vazhdonte të ishte e mbyllur.

Gjermania është në fazën dy të këtij plani emergjent që prej 23 qershorit, pasi furnizimet me gaz përmes Rrjedhës Veriore 1 ranë në 40 për qind të kapacitetit.

Cilët sektorë janë më të rrezikuar?

Prodhuesit e produkteve kimike, të çelikut, qelqit dhe letrës janë konsumatorët kryesorë industrialë të gazit në Gjermani, por nëse ndërpriten furnizimet me gazin rus, efektet do të rriteshin dhe do të prekeshin edhe industritë e prodhimit të porcelanit dhe ushqimit.

Industria e aluminit, me shitje prej 22 miliardë eurosh dhe 60,000 punëtorë, po ashtu varet nga gazi për të shkrirë aluminin dhe për riciklim.

Në industrinë e letrës, që ka një qarkullim prej 15.5 miliardë eurosh dhe punëson 40,000 veta, operatorët thonë se letra dhe kartoni janë jetike për produktet ushqimore, ilaçet dhe produktet e higjienës.

Çfarë po bëjnë kompanitë?

Importuesi më i madh i gazit në Gjermani, Uniper, ka kërkuar një pako shpëtimi nga Qeveria, që sipas një burimi të Reuters është në vlerë prej 9 miliardë dollarësh. Por, ka edhe ndërmarrje të tjera që mund të përballen me probleme të ngjashme.

Prodhuesi kryesor i çelikut, Thyssenkrupp, ka nisur të përpilojë plane në rast të ndërprerjes së furnizimeve me gaz, tha një zëdhënës i kompanisë, pasi që përdorimi i naftës apo qymyrit në vend të gazit nuk është i mundur të bëhet nga kjo kompani. Nëse situata përkeqësohet, atëherë uzinat e Thyssenkrupp do të detyrohen të mbyllen dhe mund të ketë edhe probleme teknike të agregatëve.

Ndërprerja e furnizimeve me gaz për uzinat e aluminit vetëm për 30 për qind, do të nënkuptonte që gjysma e tyre do të mbesnin pa punë, tha shoqata e kësaj industrie. Kompanitë kryesore në këtë industri janë Hydro Aluminium, Speira dhe Trimet.

Gjigantit të kemikateve, BASF, i duhet të ketë rreth 50 për qind të kërkesës maksimale të saj me gaz dhe ndërprerja e gazit rus do të mund të shkaktonte që kjo kompani të zbatonte një plan emergjent.

Çfarë mund të ndodhë me ekonominë?

Në parashikimin më të errët deri më tani, një grup i industrisë bavareze ka thënë se shteti mund të humbë deri në 12.7 për qind të performancës së ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit 2022 nëse do të ketë ndërprerje të plotë të furnizimit me gaz rus.

Cilat janë rreziqet socio-politike?

Mosmarrëveshjet sociale për gazin mund t’i japin shtysë populistëve të ekstremit të djathtë dhe të majtë të spektrit politik. Kjo do të mund të dëmtonte diskursin racional se si do të duhej të veprohej në rast të ndërprerjes së gazit.

Berlini ka miratuar një ligj që lë të hapur mundësitë për të kaluar drejtpërdrejt në çmimet e larta ose për të shpërndarë rritjen e çmimeve në mesin e konsumatorëve.  /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!