Bregdeti i Durrësit nuk po frekuentohet as nga vizitorët ditorë. Paqëndrueshmëria e motit ka bërë që plazhi të duket i braktisur njësoj si në dimër.
Ngjashëm me ditë dimri, plazhi i Durrësit është zbrazur nga pushuesit. Maji me mot të paqëndrueshëm ka bërë që bregdetit t’i mungojnë vizitorët prej ditësh. Në plazh vështirë të shohësh pushues. Të vetmit që e shfrytëzojnë për ndonjë shëtitje duket se janë vetë banorët e zonës.
Edhe këta numërohen me gishtat e dorës. Një situatë e pazakontë për muajin që ndodhemi. Ndikuar nga moti i paqëndrueshëm shoqëruar me ulje temperaturash, pushimi në bregdet nuk po shihet si alternativa më e pëlqyeshme.
Krahas vizitorëve plazhit, këtë muaj i kanë munguar edhe investimet. Vija bregdetare nuk është pastruar nga leshterikët. Ndërsa plugimi dhe dezinsektimi i brezit të rërës ende nuk është bërë.
Kjo për shkak të motit të pafavorshëm. Kjo gjendje vonon përgatitjet, duke ndikuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik, i cili në këtë periudhë duhet të ishte gati për të pritur pushuesit e parë./ABC News Albania 24/7