Kryesia e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetarë të bashkive në zgjedhjet e 30 qershorit, të cilët do regjistrohen të hënën në KQZ. Kryeministri Rama tha se drejtuesit e qarqeve do të shpallin nesër emrat, ndërsa shtoi se forca më e madhe politike në vend, është gati për zgjedhjet lokale.
Të pashqetësuar duken socialistët këtë fundjavë. Ia kanë kushtuar zgjedhjes së 61 kandidatëve për kryebashkiakë në garën e 30 qershorit datë e cila nuk do të ndryshojë kanë përsëritur ata vazhdimisht.
Kryesia e Partisë Socialiste pas rreth 3 orë mbledhje vendosi cilët janë emrat që do t’i përfaqësojë së bashku me aleatët.
Vangjush Dako do të përshëndetet me zgjedhësit e tij në Durrës pasi i qeverisi për tre mandate rradhazi. Vendin e tij socialistët ia kanë dhënë kandidates Valbona Sako, e njohur në qytetin bregdetar.
Të njëjtin fat pëson edhe kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini.Gledian Llatja është prezantuar më herët nga vetë kryeministri Rama duke e këshilluar që të vazhdojë në rrugën e të mandatuarit tre herë Qazim Sejdini.
Në qendrën e qarkut të Vlorës ranë dyshimet për Kryebashkiakun Dritan Leli, ai do të garojë për një mandate të dytë.
Tirana nuk ka patur surpriza. Erion Veliaj e ka përqëndruar punën e tij më së shumti për të marrë shumicën në Këshillin Bashkiak.
Një tjetër mandat do të kërkojë edhe Armando Subashi në Fier, e po kështu edhe Tërmet Peçi në Tepelenë.
Janë 5 bashki që i janë besuar deputetëve që do të lenë mandatin pas kësaj përzgjedhjeje.
Flamur Golemi në Bashkinë Gjirokastër.
Pjerin Ndreu në Bashkinë Lezhë.
Ilir Xhakolli në Bashkinë Pogradec.
Nuri Belbaj në Bashkinë Prrenjas
Dhe Rakip Suli në Bashkinë e Kamzës.
Nën siglën e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Dibër do të kandidojë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës Dionis Imeraj. Në Kukës u zyrtarizua emri i Safet Gjicit.
Ai që doli për të komunikuar vijimësinë e procesit zgjedhor ishte kryeministri Edi Rama.
“Kemi vendosur për të gjitha bashkitë, janë disa detaje të fundit që janë çështje qarqesh dhe nuk ka asnjë problem. Të deleguarit kanë mandatin për t’i konkluduar që të gjitha”.
Nga kjo ditë puna do të zhvendoset në qarqet përkatëse. Të hënë 61 kandidatët e majtë do të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë thonë se janë gati të nisin fushatën për të fituar përballë disa partive të vogla opozitare. /ABC news Albania 24/7