Ndërron jetë në Letoni Major Klodian Tanushi

schedule22:08 - 10 Maj, 2019

schedule 22:08 - 10 Maj, 2019

Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Major Klodain Tanushi një nga dy oficerët shqiptarë të plagosur nga shpërthimi i një mine disa ditë më parë, humbi jetën në spital.

Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO në Letoni, Major Klodian Tanushi humbi jetën në spital ku po kurohej pas plagëve të rënda qe mori nga shpërthimi i minave disa ditë më parë. Në atë ngjarje humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj si dhe u plagos jashtë rrezikut për jetën rreshter Julian Kapaj.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka që dha lajmin shkruan “Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!”.

Prindërve të Majorit Tanushi, që jetojnë në Tirane lajmin ua dhanë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe zv.shefja e SHPFA, gjenerale Manushaqe Shehu.

Ai lindi në Dibër më 31 tetor 1980, fëmija i parë i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe më 18 Shtator 2003 mori gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh.

Në 20 dhjetor 2018 ai u dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.

Major Klodian Tanushi luftoi me vdekjen, por nuk mundi të mbijetojë. Ai u nda nga jeta pikërisht ne ditën e zisë kombëtare, kur në Tiranë u përcoll në banesën e fundit nëntetarja Zarife Hasanaj, e cila u shpall dëshmore e atdheut./ABC News Albania 24/7