Ardian Ismajli, ndër më të mirët e Hajdukut në Kroaci

schedule14:53 - 10 Maj, 2019

schedule 14:53 - 10 Maj, 2019

Ardian Ismajli po zhvillon një sezon të madh në Kroaci. Mbrojtësi i kombëtares është një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së shquar, Hajduk i Splitit.

Duhet të krenohemi me të. Ardian Ismajli është një nga lojtarët më të mirë të Hajdukut, gjatë këtij sezoni në Ligën e Parë të Kroacisë.

Mbrojtësi i Kombëtares shkëlqeu edhe në ndeshjen e fituar 3-2 ndaj Inter-Zapreshiqit në stadiumin “Poljud” të Splitit.

Media kroate, Telesport e vlerëson lart 22-vjeçarin me origjinë nga Vushtrria, duke e vendosur për herë të gjashtë në formacionin e javës të kampionatit kroat.

Komenti i Telesportit ishte i qartë: I saktë në pasime, sidomos në atë për golin e parë, një gjuajtje në kuadratin e portës, fitues i shumicës së dueleve, si dhe i zoti në mbrojtje dhe në driblim.

Ismajli e nisi sezonin pa ndonjë vlerësi shumë të madh, por pak nga pak u bë lojtar formacion dhe tepër i rëndësishëm për Hajdukun.

Falë edhe ndihmës së tij, skuadra më e vjetër e Kroacisë është ngjitur në vendin e katërt në renditje, me synim për t’u kualifikuar për në Ligën e Europës.

Në formacionin e javës edhe një shqiptar tjetër, lojtari i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani.

Ish-mbrojtësi i Partizanit në Superligën shqiptare, arriti madje që të shënonte gol, në fitoren e Dinamos së Zagrebit, në derbin e kryeqytetit ndaj Lokomotivës. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!