Pse Rama me gazetarët luan “ngriva-shkriva”, kjo ishte tema e dytë që u diskutua në emisionin “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo.
I ftuar në emision, analisti Lorenc Vangjeli, komentoi ngjarjen e ditës premte ku gjatë një konference për mediat, kryeministri Edi Rama, ripërsëriti sërish të njëjtin veprim duke “dënuar” një gazetar për të mos marrë pjesë për 3 muaj në konferencat e tij.
Vangjeli tha se termi i përdorur nga zoti Rama është i papranueshëm, pasi “riedukim” është një term i rëndë.
Ndërkohë theksoi se edhe gazetari duhet të kishte përzgjedhur një tjetër formë pyetje drejtuar Xhaçkës.
Pjesë nga biseda:
Vangjeli: Unë do ta filloja me termin e përdorur. Fjala riedukim tingëllon keq, është jo proporcionale me atë çfarë ndodhi. Por stili është njeriu dhe njeriu është stili. Dilema e madhe që Ramën e ka shoqëruar gjatë dy prej profesioneve të tij, nëse ai do të zgjidhte, do t’i shkonte më për mbarë të ishte kryeredaktor i të gjitha mediave, sesa kryeministër. Nëse zgjedh të jesh kryeminsitër do të zgjedhësh të jesh i pyetur nga mediat. Nëse je kryeredaktor, ke luksin të bësh pyetje duke qenë i pa paragjykuar. Kishte një nuancë të papranueshme pyetja e kolegut, të cilët ne e shpjegojmë në një mënyrë tjetër nëse në vend të Xhaçkës do të ishte një zotëri, pyetja nuk do të ishte e tillë. Në këtë rast duhet të ishte shmangur ngarkesa.
Xhafo: Mund të kishte zgjedhur ta pyeste ndryshe, formulim më neutral, çfarë ndodh me kodin etik kur biznesmenit e ke në shtëpi. Ka disa mënyra për të pyetur.
Vangjeli: Kjo do të ishte një pyetje që do ta kishte shumë të vështirë pyetjen nga një kryeministër. Mënyra se si u përgjigj Rama ka të bëjë me stilin e tij. Fjala riedukim e papranueshme, që në shqipen e trashëguar nga komunizmi tingëllon më keq se keq.
/Abcnews.al/