“Europa e së ardhmes”, BE miraton deklaratën

schedule22:02 - 9 Maj, 2019

schedule 22:02 - 9 Maj, 2019

Dy javë para zgjedhjeve evropiane, liderët e BE-së kanë aprovuar deklaratën e përbashkët për Evropën e së ardhmes, që parashikon angazhimin për një kontinent të bashkuar, që flet me një zë për çështjet e brendshme dhe ato globale.

Përballë rritjes së euro-skepticizmit në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, 27 liderët evropianë përçuan një mesazh bashkimi nga samiti i Sibiut në Rumani.

Dy javë para zgjedhjeve evropiane, të rëndësishme për të ardhmen e Bashkimit Europian, ata aprovuan një deklaratë për Evropën e së ardhmes bazuar në 10 angazhime.

Në këtë deklaratë shprehet angazhimi për të mbrojtur një Evropë të bashkuar që flet me një zë kundër atyre që luftojnë kundër interesave të saj, për të ruajtur mënyrën e jetesës evropiane dhe vlerat e saj, shtetin ligjor, demokracinë dhe një Evrope më të drejtë. Ata mbështesin një Evropë të madhe për çështjet e mëdha dhe të vogël për të voglat.

“Mesazhi i samitit të liderëve evropianë në Sibiu përçon frymën për të vazhduar dhe mbrojtur së bashku projektin evropian”, tha Klaus Iohannis, president i Rumanisë.

“Rezultatet e diskutimit tonë do vijnë në qershor kur të aprovojmë prioritetet tona për 5 vitet e ardhshme, që njihet ndryshe si agjenda strategjike. Pa paragjykuar rezultatin e zgjedhjeve europiane mund të them diçka me bindje të plotë. Liderët europianë kanë treguar përgjegjësi politike jo vetëm për çështje apo sfida të veçanta, por për Bashkimin Europian në tërësinë e tij. Shtetet europiane dhe liderët europianë  të zgjedhur në mënyrë demokratike duan të skalisin mënyrën e zhvillimit të BE-së”, deklaroi Donald Tusk.

Ndërsa Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian tha se:

Ne kemi konstatuar se sllogani që unë lançova për Europën për të qenë e madhe për çështjet e mëdha dhe e vogël për të voglat ka njohur një traditë të përkthyer në fakte, që do të thotë se kjo qasje duhet të vazhdojë edhe gjatë legjislaturës së ardhshme”.

Deklarata e Sibiut flet gjithashtu edhe për ndërtimin e një Bashkimi Evropian i zoti të përballet me sfidat e shekullit të 21, që investon në gjeneratat e reja, që mbron interesat e qytetarëve evropianë në nivelin global dhe që e vendos Evropën në një pozicion kyç për zgjidhjen e çështjeve globale, si ndryshimet klimaterike dhe mbrojtjen e planetit.

“Pas 15 ditësh, pak më shumë se 400 milionë qytetarë do të duhet të zgjedhin. Bëhet fjalë për një zgjedhje esenciale këtë radhë. Ata duhet të zgjedhin midis projekteve që kanë si synim të ndërtojnë Evropën më tej,  ta ndërtojnë ndryshe, duke marrë në konsideratë ndjeshmëritë e shumta dhe midis projekteve që duan ta shkatërrojnë Evropën dhe duan të rikthehen në nacionalizmat. Kjo ndarje ekziston sot në çdo shtetet anëtar, ndaj ne duhet t’u bëjmë të kuptojnë qytetarëve tanë që 70 vitet që kemi jetuar së bashku nuk janë arritur në përjetësi. Ne duhet të përmirësojmë shumë gjëra së bashku dhe që përballë sfidave të botës së sotme, Evropa është esenciale”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.

Zgjedhjet europiane zhvillohen në datat nga 23 deri në 26 maj në 28 shtete të Bashkimit Evropian./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!