U tha se vdiq pasi u rrëzua nga makina e parkuar, policia zbardh sherrin që i mori jetën 60-vjeçarit në Dibër

schedule16:07 - 1 Korrik, 2022

schedule 16:07 - 1 Korrik, 2022

Një 60-vjeçar humbi jetën para 5 ditësh në Dibër.

Fillimisht ngjarja u referua si aksidentale dhe u tha se 60-vjeçari Nuri Basha, ishte rrëzuar teksa po zbriste nga makina e parkuar ku ishte pasagjer. Ai mori dëmtime të rënda në kokë dhe u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë, por nuk mundi të shpëtonte.

Policia pas hetimeve të thelluara ka zbardhur ngjarjen dhe ka ndaluar Osman Torbën, autorin e dyshuar të plagosjes me pasojë vdekjen e 60-vjeçarit. Gjithashtu janë proceduar penalisht 3 shtetas të tjerë për moskallëzim krimi.

Njoftimi i policisë:

Dibër – U referua fillimisht si ngjarje aksidentale, pas hetimeve të thelluara të Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, zbardhet ngjarja e ndodhur në datën 26.06.2022, në Peshkopi, ku mbeti i lënduar rëndë shtetasi Nuri Basha, 60 vjeç, i cili më pas humbi jetën në spital.

Ndalohet autori i dyshuar i plagosjes me pasojë vdekjen e 60-vjeçarit.

Procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi.

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, nisur nga dyshimet e krijuara për ngjarjen e ndodhur në datën 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, ku mbeti i dëmtuar rëndë shtetasi Nuri Basha., 60 vjeç, i cili më pas humbi jetën në spital, thelluan hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Lexo edhe: Po zbriste nga makina e parkuar por rrëzohet, ndërron jetë 60-vjeçari nga Dibra

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit:

Osman Torba, 53 vjeç, banues në fshatin Shimçan, Dibër, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. T., 48 vjeç, L. K., 52 vjeç dhe A.T., 63 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasi Osman Torba dhe 3 shtetasit e tjerë të proceduar në gjendje të lirë, në datën 26.06.2022, deklaruan se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale, sepse shtetasi Nuri Basha, 60 vjeç, duke zbritur nga automjeti i parkuar i shtetasit E. T., ishte rrëzuar aksidentalisht dhe për pasojë ishte dëmtuar në kokë.

Më pas, në bazë të dyshimeve të krijuara për rrethanat e kësaj ngjarjeje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, u bë regjistrimi i procedimit penal për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Në përfundim të veprimeve hetimore është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj ngjarjeje. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Osman Torba ka shtyrë shtetasin Nuri Basha., i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, mbrëmjen e datës 28.06.2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!