Nga Xhensila Kodra
Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të djegies së makinave të ndërtuesit Dritan Llanaj, një javë më parë në zonën e Astirit në kryeqytet. Pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë zonës, ndihmuan uniformat blu të çojnë në identitetin e tij.
Në garazhin e pallatit, kamerat nuk ishin funksionale. Autori i dyshuar është fiksuar teksa lëvizte përgjatë zonës pak minuta para se të ndodhte zjarrëvënia. Po i njëjti person është kapur edhe nga kamera e një biznesi aty pranë teksa futet në garazh. Pas një minute del prej aty.
I riu shfaqet i veshur me rroba sportive të zeza, kapuçin e bluzez e kishte vebndosur në kokë, ndërsa duart të futura në xhepa. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai nuk është banorë i zonës, por mund të jetë paguar për zjarrëvënien.
Për pasojë u dogjën 4 makina, 3 prej të cilave të familjes së sipërmarrësit, ndërsa 8 banorë të pallatit u dërguan në spital nga asfiksia. Pista kryesore është ajo e konflikteve të familjes Llanaj. Prej kohësh, Dritan Llanaj është në një konflikt me persona të tjerë për truallin e pallatit ku ndodhi edhe ngjarja.
Llanaj është arrestuar më herët nga Policia e Tiranës për falsifikim dokumentesh, ndërtim i paligjshëm dhe mashtrim me pasoja të rënda. Ai është vëllai i biznesmenit Sino Llanaj, edhe ky një person i njohur për autoritetet. Vitin e kaluar u arrestua pas konfliktit me armë që ai kishte me investitorin Albert Allmuça në zonën e ish parkut në kryeqytet. /abcnews.al/