Kreu i ri i ushtrisë britanike, gjenerali Sir Patrick Sanders ka thënë se Britania duhet të përgatitet të veprojë me shpejtësi për të parandaluar përhapjen e luftës në Evropë.
Duke krahasuar konfliktin aktual në Ukrainë me periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Sanders, tha se Britania përballet me “momentin e saj të 1937”, raporton BBC.
Duke mbajtur një fjalim në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, Sanders ka treguar se si planifikon të mobilizojë ushtrinë, rregulltarët, rezervistët dhe civilët në mënyrë që të pengojë agresionin rus.
“Më lejoni të jem i qartë: Ushtria Britanike nuk po mobilizohet për të provokuar luftë, ajo po mobilizohet për të parandaluar luftën. Ne po jetojmë një periudhë historie po aq të rëndësishme sa paraardhësit tanë 80 vjet më parë. Dhe tani, si atëherë, zgjedhjet tona do të kenë një efekt joproporcional në të ardhmen. Ky është momenti ynë i vitit 1937”, tha Sanders.
“Nëse dështojmë të ndalojmë, nuk ka zgjedhje të mira duke pasur parasysh koston e një kundërsulmi të mundshëm dhe kërcënimin bërthamor të lidhur me të. Prandaj, ne duhet të fitojmë forcë që në fillim dhe të jemi të përgatitur pa mëdyshje për të luftuar për territorin e NATO-s”, shtoi Sanders në daljen e parë publike që nga marrja e postit.
“Kjo është lufta për të cilën ne po mobilizohemi për ta parandaluar duke u përgatitur për të fituar… Dhe duke e bërë këtë, shpresoj se nuk do të duhet të luftojmë kurrë”, tha ai. /abcnews.al