Papa Francesku në Shkup, mijëra besimtarë morën pjesë në meshë

schedule15:10 - 7 Maj, 2019

schedule 15:10 - 7 Maj, 2019

Papa Françesku është ndalur fillimisht në memorialin e Nënë Terezës në Shkup, para celebrimit të meshës në shesh. Maqedonia e Veriut përmbyll udhëtimin në Ballkan të Papës, i cili bëri thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen sa më shpejt.

Papa Francesku ndodhet në Maqedoninë e Veriut, ku sot përmbyll dhe udhëtimin e tij në Ballkan, i cili e çoi dhe në Bullgari një ditë më parë. Në Shkup ai u prit nga presidenti në largim Ivanov, dhe më pas u drejtuan për më pallatin presidencial ku u takua me liderë të ndryshëm të shtetit por dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Më pas ai vizitoi memorialin e Nënë Terezës në Shkup, para celebrimit të meshës në sheshin Maqedonia. Më pas ai u takua me komunitetin katolik në vend.

Në lutjen e tij për Nënë Terezë, Papa Francesku u shpreh se Zoti e kishte dërguar në Tokë për të dëshmuar dashurinë për më të varfërit e Indisë dhe në botë:

“Ajo diti si të bëjë mirë për ata që kishin nevojë, pasi shihte në cdo burrë dhe grua, fytyrën e birit tënd!”

Papa Francesku u shpreh se karakteristikat special të Maqedonisë së veriut për shkak të përbërjes së saj multietnike dhe multifetare, janë njëkohësisht domethënëse në rrugën e një integrimi më të shpejtë me vendet europiane. Drejtuar autoriteteve në vend, Papa Francesku shtoi se integrimi duhet të ndodhë për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor duke respektuar gjithnjë të drejtat themelore dhe diversitetin.

Ndër të tjera Papa u ndal dhe te pritja që Maqedonia e Veriut i ka bërë një numri të madh emigrantësh, duke e cilësuar si një përpjekje shumë bujare. “Solidariteti për ata që gjendeshin në një moment të vështirë, pasi kishin humbur dhe të afërmit përveç se shtëpitë dhe punës, ju nderon dhe flet për shpirtin e popullit tuaj, që duke marrë parasysh dhe mungesat njeh solidaritetin dhe ndarjen e të mirave…”, përfundoi Papa Francesku./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!