Përsëritja e zgjedhjeve për bashkinë e Stambollit, reagon opozita turke

schedule11:30 - 7 Maj, 2019

schedule 11:30 - 7 Maj, 2019

Opozita në Turqi ka reaguar ndaj vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve për bashkinë e Stambollit. Kandidati i Partisë Republikane e cilësoi vendimin si diktatorial dhe mohoi pretendimet për manipulim të procesit të votimit.

Partia popullore republikane – grupimi kryesor politik i opozitës në parlamentin turk, si dhe më e vjetra në vend, e themeluar nga vetë Mustafa Kemal Ataturk – kundërshtoi ashpër anulimin e rezultatit i cili në 31 Mars i dha fitoren kandidatit të saj Ekrem Imamogllu.

Imamogllu – i cili kishte fituar me një diferencë të ngushtë votash para se presidenti Erdogan të kërkonte rinumërimin e votave – e cilësoi vendimin si frytin e një diktature të pastër dhe të thjeshtë. Në reagimin e tij ai iu drejtua mbështetësve duke i thënë se po përpiqen t’i marrin fitoren e mbrëmjes së 31 marsit dhe punën e madhe që kishin bërë deri tani

Por një reagim krejt të kundërt ka bërë rivali i Imamogllu, ish kryeministri dhe njeri besnik i Erdogan, Ninali Jëlldërëm. Ai u shpreh se procesi i votimit ka qenë i parregullt dhe i manipuluar. Akuza për të cilat sipas tij ka prova të qarta.

Dhe në të kaluarën, faktikisht, opozita kishte vënë në dyshim pavarësinë e komisionit elektoral suprem dhe tashmë akuzon partinë e Erdogan dhe Jëlldërëm se kanë sajuar manipulime të paqena. Kjo në një përpjekje të dëshpëruar për të mos humbur qytetin më të rëndësishëm të vendit./ABC News Albania 24/7