“Kemi 30 vjet që dergjemi dyerve të zyrave”, banorët e Uznovës në Berat peticion institucioneve për regjistrimin e pronave

schedule12:39 - 25 Qershor, 2022

schedule 12:39 - 25 Qershor, 2022

Banorët e lagjes periferike të qytetit të Beratit, “Uznovë” kanë kërkuar sot ndihmën e mediave për një nga problematikat më të mëdha që mbart kjo lagje (dikur fshat),që është regjistrimi i pronave të tyre (truall dhe toka).

Më shumë se dy javë më parë, në 7 qershor, 32 banorë të kësaj lagjeje kanë firmosur një peticion në emër të të gjithë banorëve dhe ja kanë dërguar Prefekturës së Qarkut Berat, Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së Artan Lame dhe deputetëve të qarkut por ende nuk kanë marrë prej tyre një përgjigje.

Nëpërmjet këtij peticioni,banorët kanë kërkuar një ballafaqim me përfaqësuesit e institucioneve të sipërpërmendura, për të zgjidhur problemet e mbartuara ndër vite të regjistrimit të pronave.

Banorët e Uznovës kërkojnë ti jepet fund sorrollatjeve lidhur me regjistrimin e pronave pasi-siç edhe ata shprehen-kanë afro 30-vjet që dergjen dyerve të zyrave, duke u bërë viktima të disa mashtruesve që punojnë në ASHK Berat, të cilët për arsye përfitimi shfaqin paaftësi profesionale.

Që prej vitit 1992 Uznova është lagje e qytetit të Beratit por ata ende nuk kanë kryer regjistrimin e pasurive të tyre, qoftë truall qoftë toka.

Banorët kërkojnë korrigjimin e gabimeve të konstatuara në Çertifikatat e Pronësisë dhe korrigjimin e gabimeve në AMTP lidhur me sipërfaqet e trojeve për ndërtime masive, bashkëpronësi dhe saktësim kufiri.

Banorët deklarojnë se Uznova nuk ka mbivendosje dhe të gjitha trojet deri në vitin 1992 origjinën e kanë nga prona shtet.

Banorët deklarojnë se,në arkivën e qarkut Berat mungojnë dokumentat e Këshillit të Bashkuar të NB (Ndërmarrjes Bujqësore që ka qënë dikur) për vitet 1990,1991 dhe 1992, të cilat janë asgjesuar në vitet e tranzicionit. /abcnews.al