Për shumë arsye nuk është si gjithë të tjerët. Atij nuk i zënë këmbët dhe. Malet, fushat i ka si shtëpi, ndërkohë që drejton një shtëpi tjetër, atë të Zotit në fshatin Braticë të Ulqinit. Dom Gabriel Grabanica është një prift katolik atipik. Dikur ai ishte luftëtar i UÇK-së, por prej vitesh ka lënë pas armët dhe punon veç për paqe.
Qetësinë e shpirtit të tij të lirë e gjen në male, ndaj veç mësimeve të katekizmit të shtunën dhe meshave të dielën e bëjnë që të kthehet pranë grigjës së besimtarëve. ‘’Unë jam djalë prej Kosove që ka marrë dituri në Shqipëri dhe jeton në Ulqin. Ky ishte një plan hyjnor i zotit. Jam i thirrur për këtë rrugë.’’
Edhe pyetjeve disi provokuese prej një kureshtareje të etur për të mësuar më shumë, Dom Gabrieli i përgjigjet pa u menduar dy herë.
- Çfarë mendon për ateistët? – ‘’Mendoj që edhe ata janë njerëz të mirë, mund të jetoj me ta, mund të punoj me ta dhe nuk kam asnjë paragjykim. U mbetet vetëm të gjejnë rrugën e tyre.’’
- A falen të gjitha mëkatet? – ‘’Varet sa I penduar je dhe sa besim ke ne Zot, pastaj varet edhe nga lloji i mëkatit.’’
Dom Gabrieli mund të jetë njeriu që ndoshta njeh më shumë se kushdo tjetër pothuajse çdo pëllëmbë tokë të territorit shqiptar, sepse pasioni për malet e alpet I buron nga thellësia e shpirtit.
“ Pjesa tjetër që më jep forcim shpirtëror është aktiviteti im. E pamundur mos të më gjejnë ditët e pushimit maleve, duke eksploruar tokën shqiptare.’’
E pamundur mos të të mbërthejë vëmendjen Dom Gabrieli me rrëfenjat mbi jetën e tij, apo aventurat e kaluara maleve.
“Është shumë interesante se të gjithë tregojnë profesionin kur jemi grup maleve dhe të gjithë çuditen kur mësojnë profesionin tim. U bë 15 vite që jam gjithnjë duke eksploruar.’’
Pak e dinë, por teksa ai ishte duke studiuar filofozi në Kroaci, iu përgjigj thirrjes së atdheut të tij Kosovës për të luftuar në luftën çlirimtare, kujtim që e ruan si thesar e sot e kësaj dite. Atij nuk I pëlqen fort që t’ia përmendin, e kujdeset që të japë detaje vetëm kur kamerat janë off.
Dom Gabrieli ka energji për të jetuar edhe 1000 vite teë tjera dhe këtë ua siguroj duke parë pasionin me të cilin ai i bën gjërat. Ama pensionimin e ka çuar nëpërmend qysh tani. E përfytyron të jetë në një nga vendet me të paqta për shpirtin e tij.
‘’Kur të pensionohem pas moshës 75 vjeçare, dëshira ime është të mbaroj jetën tokësore në alpe. Ëndërroj një shtëpizë ku të kaloj ditët e mia aty ku gjej qetësi shpirtërore.’’
E kur t’i vijë moti kjo shtëpizë me shumë siguri ajo do të jetë shumë e vockël për të mbajtur brenda historitë prej 1001 netësh të këtij shtegtari të maleve dhe shpirtit… Romina Braho/ Abc e mëngjesit


